“Kosova mos të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe pa pasur marrëveshje”

08:02 | 01 Dhjetor 2023
“kosova-mos-te-lejoje-mbajtjen-e-zgjedhjeve-serbe-pa-pasur-marreveshje”


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i prerë në qëndrimin e tij sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë më 17 dhjetor.

Ai, i ka shkruar letër misionit të OSBE-së, që për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës duhet të ketë një marrëveshje siç e ka quajtur ai “një marrëveshje speciale” dhe se kjo kërkesë duhet të vjen drejtpërsëdrejti nga Serbia; dhe e cila në atë kërkesë “duhet të ketë në bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si një shtet i pavarur”.

Kjo letër e kryeministrit Kurti i është dërguar shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport rreth një javë më parë.

Por, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për Front Online se a kanë marrë ndonjë përgjigje nga ky mision dhe se si do të organizohen zgjedhjet e 17 dhjetorit për serbët e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë që t’i referohemi një deklaratë të zv.kryeministrit Besnik Bislimi.

Bislimi të enjten në platformën “X” ka thënë se tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprake, nuk është në frymë të dialogut.

Ai ka thënë se përderisa nuk ka kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim.

Front Online për këtë çështje ka pyetur edhe Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka deklaruar për Front Online se se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Stano ka deklaruar se presin që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

 

 

Arifi: Qëndrimi i Qeverisë për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë i drejtë, Serbia duhet të bëj kërkesë

Ish-kryenegociatori për dialog, Avni Arifi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovës pa kërkesë direkte të Serbisë po e sheh të drejtë.

Por, derisa sipas Arifit shteti serb nuk po kërkon leje nga Qeveria e Kosovës, do të vazhdohet me praktikë të njëjtë

Deklaron se është koha që të vendosen marrëdhëniet diplomatike dhe serbët të votojnë në ambasadë.

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është qëndrim i drejtë sepse për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve shteti serb duhet të kërkojë nga institucionet e Kosovës leje, por ata nuk po e kërkojnë dhe besoj se do të vazhdojë e njëjta praktikë. Përndryshe besoj se ka ardhë momenti që të vendosen së pari marrëdhëniet diplomatike dhe serbët të votojnë nëpër ambasada sikur në krejt botën dhe të lejohet të votohet në ambasadën e Serbisë në Kosovë”, është shprehur Arifi për Front Online.

Ndërsa, nga Bashkimi Evropian kanë konsideruar se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut.

E, për këtë Arifi deklaron se edhe qëndrimi i BE-së është i drejtë, por se duhet të respektohen procedurat pasi që secili qytetar e ka të drejtën e votës.

“Qëndrimi i BE-së është i drejtë në kuptim të asaj sepse çdo qytetar duhet të ketë të drejtë të votojë dhe të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e lejojnë edhe ligjet e Kosovës edhe Kushtetuta e Kosovës sepse kemi të bëjmë me qytetarë që kanë shtetësi të dyfishtë, mirëpo njëkohësisht duhet të respektohen edhe procedurat”, ka shtuar ai.

Arifi vlerëson se kërkesa e Qeverisë së Kosovës është bukur e qartë dhe se Serbia duhet ta bëjë kërkesën për mbajtje të zgjedhjeve në Kosovë zyrtarisht përmes Zyrës Ndërlidhëse.

Cakolli: Zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë pa marrëveshje

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka deklaruar për Front Online se nuk do të duhet të prishet praktika e krijuar sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ai, ka thënë se ato nuk duhet të lejohen të mbahen në Kosovë pa pasur ndonjë marrëveshje.

“Në radhë të parë besoj se Kosova nuk do të duhej ta prishte praktikën e sapo krijuar të mos lejimit të zgjedhjeve serbe pa pasur një marrëveshje. Unë konsideroj se kërkesa e dërguar nga Beogradi zyrtar përmes zyrës së OSBE-së ka qenë arsye e mjaftueshme në radhë të parë që të refuzohet kërkesa si e tillë pa pasur nevojë të lëshohemi fare në diskutime tjera mbi përmbajtjen, modalitetin dhe formën”, ka deklaruar Cakolli për Front Online.

E, në rast se edhe kërkesa do të vinte direkt në Qeverinë e Kosovës, Cakolli beson se përgjigja do të ishte përsëri e njëjtë.

“Unë vlerësoj që më e udhës do të ishte që as mos të vije direkt kërkesa në Qeverinë e Kosovës sepse jam i bindur që përgjigja do të ishte e njëjtë. Por, do të duhej se kjo si çështje në tërësi të shihej si pjesë e një rregullimi më të madh mbi bazë reciproke të çështjes së të drejtave të votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi, por edhe të shqiptarëve të cilët jetojnë në Serbi në raport me zgjedhjet e Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurse, për kërkesën që Zyra Ndërlidhëse e ka bërë përmes OSBE-së, Cakolli thotë se është bërë me tendencë.

“Kërkesa si e tillë në formatin e parashtruar është më shumë tendencë për t’i bërë presion Kosovës për ta paraqitur atë si palë desktruktive dhe e cila nuk i respekton të drejtat e minoriteteve sesa në të vërtetë ka pasur pritshmëri që mund të ketë një vlerësim pozitiv”, është shprehur ai.

Sipas tij zgjidhja për zgjedhjet aktuale të Serbisë në Kosovë nuk ekziston pasi kanë mbetur më pak se tri javë.

Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Më pas ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar.

Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë  kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese./Front Online

 

 

 

Komento: