“Kosova mund të arrijë rritje ekonomike deri në 7 për qind”

15:15 | 09 September 2019

Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës thotë se Kosova mund të k etë rritje ekonomike deri në 7 për qind.

Me një fokus më të madh në sektorin ekonomik, Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike prej 6 deri në 7 për qind, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të adresonte dy nga problemet me të cilat përballet vendi, siç është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar.

Sektori financiar në Kosovë, sipas tij, është stabil, duke nënvizuar se Kosova ka hapësirë ligjore që të rrisë edhe borxhin publik në favor të investimeve. Ndërkaq, skemat e shumta sociale në Kosovë që në vit kapin shumën e rreth 400 milionë eurove, sipas Mehmetit, janë një barrë për buxhetin e shtetit, ndonëse, siç thotë ai, janë duke u menaxhuar mirë.

“Kemi një sektor financiar shumë stabil, është likuid, mirë i kapitalizuar. Nëse shohim trendet në sektorin bankar si njëri nga sektorët më të rëndësishëm në kuadër të sistemit financiar, karakterizohet me zhvillime pozitive. Rritja e kreditimit në baza vjetore është 11 për qind, vlera e kredive ka arritur në rreth 3 miliardë euro, depozitat po ashtu kanë shënuar rritje prej 12.2 për qind dhe vlera e tyre ka arritur në 3.5 miliardë euro. Rritja e depozitave tregon që sektori bankar, pra bankat komerciale në Kosovë janë mirë të kapitalizuara”, ka thënë ai në një intervist pë Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se janë bërë zhvillime pozitive edhe në kuadër të lehtësimit të qasjes në financa, është ulur norma e interesit në kredi në 6.3 për qind, që sipas tij, kjo ka bërë që të lehtësohet qasja në financa, duke shtuat se sektori bankar përveç rolit të tij ka ndihmuar edhe në rritjen ekonomike.

Mehmeti ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2018 në Kosovë ka qenë 4 për qind duke shtuar se ajo është financuar kryesisht prej tri aktiviteteve që janë kryesore për të financuar rritjen ekonomike në vend, që në këtë rast është kredia bankare, rritja e shpenzimeve publike dhe remitencat.

“Parashikimet tona si Bankë Qendrore janë që në vitin 2019 rritja ekonomike të jetë rreth 4,2 për qind, që kryesisht do të financohet prej këtyre që i përmenda më herët. Nëse shikojmë me vendet e rajonit, është një rritje solide, është një rritje për t’u vlerësuar, mirëpo nuk është e mjaftueshme edhe 4 edhe 4,2 për qind, për t’i adresuar sfidat që i ka Kosova, që në këtë rast është papunësia që shënon 29,6 për qind dhe deficiti i lartë tregtar. Prandaj, me qëllim të adresimit të këtyre sfidave kërkohet që të ketë rritje më të madhe ekonomike prej 6-7 për qind, që nuk është e vështirë të bëhet. Me një fokus të Qeverisë që në të ardhmen, të jetë kryesisht në fushën e ekonomisë, unë them se shumë lehtë mund të arrihet deri te rritja ekonomike 6-7 për qind”, thotë ai.

Sipas Mehmetit, kreditimi është njëri prej faktorëve ose indikatorëve kryesorë që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend. Sipas tij, këtu, në mënyrë të theksuar ka ndikuar edhe Fondi i Garantimit të Kredive, fond që është themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe donatorëve, që këtë vit është rritur vlera e këtij fondi prej 20 milionë euro.

Ai thotë se diku mbi 100 milionë euro janë garantuar prej këtij fondi dhe në masë të theksuar kjo ka ndikuar që të kreditohen sektorët më pak të kredituar.

“Janë shumë, por po e marrim bujqësinë, është një projekt që ka filluar të ketë rritje dhe që përkrahet, sidomos prej bizneseve të reja, të cilat nuk kanë ndonjë histori dhe bankat hezitojnë t’i kreditojnë, atëherë ky fond i garanton dhe kjo në masë të theksuar ka ndikuar që të rritet dhe të lehtësohet qasja e financave të bizneseve të reja, që ne i konsiderojmë si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës”, ka thënë ai.

Duke folur për borxhin publik, ai ka thënë se momentalisht ky borxh është 1.1 miliard euro.

“Nëse e shohim tre mujorin e parë të vitit 2019 dhe bëjmë një krahasim me tre mujorin e parë të vitit 2018 ka një rritje prej 8.5 për qind. Në raport me bruto produktin vendor borxhi publik shënon 16.3 për qind që është larg mbi kërkesat ligjore, pasi që me ligj lejohet që borxhi publik të jetë deri në 40 për qind në raport me bruto produktin vendor”, ka thënë tutje ai.

Komento: