Kosova mund të përballet edhe me një valë të re të koronavirusit.
Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, infektologu Izet Sadiku ka folur për situatën me pandeminë në Kosovë, vaksinimin dhe masat antiCOVID-19, e po ashtu edhe për nevojat që i ka shëndetësia në Prishtinë.
Sadiku ka thënë se nuk ka komoditet për lirimin e masave nëse nuk ka monitorim më të rreptë.
Sipas tij, mbikëqyrja është e domosdoshme, për shkak se valë të reja të coronavirusit mund të shfaqen përsëri në Kosovë.
“Numri i rasteve aktive nuk na jep komoditet që të lirojmë masat në mënyrë që situata të jetë e pakontrollueshme. Tash e kemi një relaksim të situatës, por duhet monitorim për arsye se e kemi parë në qershor e korrik që relaksimi i madh pa mbikëqyrje të domosdoshme, mund të na fut në një situatë të një vale të re e cila prapë mundet të jetë e rëndë sikur kjo”, tha Sadiku.
Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku theksoi se të gjitha masat që do të merren tash e tutje do të varen nga numri i qytetarëve që vaksinohen.
“Masat që planifikohen të merren do të jenë konform numrit të të vaksinuarve, dhe e dimë që ky numër në Kosovë ende është i vogël, diku 26 % i kemi tash të vaksinuar, e kjo nuk na lejon komoditet që të kemi masa të liruara, nëse nuk kemi së paku mbikëqyrje më të madhe”, u shpreh Sadiku.
Sadiku tha se masat të cilat janë marrë deri më tani do të duhej të krahasoheshin me numrin e shtretërve të lirë nëpër spitale, teksa u shpreh se referuar situatës së vështirë në këtë aspekt gushti i këtij viti ka qenë më i rëndi.
“Mutacioni që pësuar virusi, që është varianti Delta i cili tashmë është shumë më ngjitës dhe lirimi i masave, qarkullimi shumë i madh i popullsisë, pa kontroll, ardhjet e mëdha të njerëzve që kanë ardh nga diaspora kanë ndikuar që të kemi numra më shumë të të infektuarve, por fatkeqësisht edhe të personave të vdekur”, u shpreh ai për telegrafin.
Ai u shpreh se në momentin që lirohen masat, do të duhej të kishte mbikëqyrje shumë më të madhe të respektimit të atyre masave që mbesin në fuqi.