Kosova në Bordin e Trump me nënshkrim të Vjosa Osmanit, liderët partiakë e përkrahin, Kurti s’e ka thënë asnjë fjalë

23:56 | 24 Janar 2026
kosova-ne-bordin-e-trump-me-nenshkrim-te-vjosa-osmanit,-lideret-partiake-e-perkrahin,-kurti-s’e-ka-thene-asnje-fjale

Dy ditë më parë, në Davos të Zvicrës, gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, u themelua Bordi i Paqes. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që është edhe kryesori në krijimin e kësaj iniciative, bëri bashkë udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës, në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit. Pjesë e grupit themelues u bë edhe Kosova, ku nënshkruese e kartës ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Për këtë, Osmani u shpreh e bindur se ‘’paqja është gjithmonë më e sigurt’’ kur SHBA’të udhëheqin, dhe se, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ‘’të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës’’.

Për dallim nga Osmani, lideri tjetër institucional kryeministri në detyrë Albin Kurti, ende s’ka dhënë asnjë koment rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Anipse, vetë Kurti ishte pjesëmarrës i punimeve që u zhvilluan në Davos gjatë forumit në fjalë. Kurti atje ishte pjesë e disa paneleve diskutimesh.

Por, ndryshe nga Kurti, liderët e tjerë politikë, ata në krye të partive kryesore, e mirëpriten pjesëmarrjen e Kosovës, e ftesën e Osmanit nga Trump.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se partia që udhëheq ai e mbështet këtë hap historik dhe se, ‘’në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta.’’

Si një zhvillim të mirë për vendin, e vlerësoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. I pyetur se si e sheh këtë iniciativë dhe ftesën e Trump ndaj Osmanit, ai tha se është e ‘’dobishme për Kosovën’’ dhe se, kjo e fundit duhet të jetë aty ku janë SHBA’të

‘’Shumë pozitive, e dobishme për Kosovën. Aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës aty duhet të jetë Kosova. Sa herë të na u jepet mundësia, me punu shumë që me qenë aty, është jashtëzakonisht pozitive’’, ka thënë ai.

Lajm të mirë ftesën e Osmanit nga Trump e cilësoi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit shtoi edhe se, pjesëmarrja e Kosovës si dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes është ‘’dritare shprese për ne’’, dhe se, e njëjta ‘‘pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në’’.

Ndërkaq, presidentja, ka njoftuar tashmë se nënshkrimi i Kartës së Bordit të Paqes do të dërgohet në parlamentin e Kosovës për ratifikim. Porse, për këtë duhet të pritet akoma, pasi që vendi është ende pa kuvend funksional si shkak i zgjedhjeve të mbajtura me 28 dhjetor. Procesi i numërimit të votave është në fazë të rinumërimit tashmë, si pasojë e dyshimeve për manipulim votash. Për këtë gjë, nga KQZ është bërë e ditur se procesi i rinumërimit pritet të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërsa certifikimi rezultateve përfundimtare, pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt.

Komento: