​“Kosova në drama të vazhdueshme”, paralajmërohet lëvizje e re popullore politike

16:55 | 13 Prill 2026
​“kosova-ne-drama-te-vazhdueshme”,-paralajmerohet-levizje-e-re-popullore-politike

Njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Burim Ramadani po paralajmëron riorganizimin e një lëvizje të re popullore politike. Në rast se nuk do të ketë zgjidhje për presidentin, ai pret që të ketë grupim të qytetarëve për të ndërtuar një platformë të re.

Në mungesë reflektimi nga partitë aktuale, pjesë e këtij grupacioni thotë se do të jenë persona që kanë kontribuuar për vite të tëra por edhe gjenerata të reja.

Një gjë e tillë do të ndodhë, sipas tij, meqë klasa politike po dëshiron ta mbaj Kosovën në drama të vazhdueshme. As zgjedhjet e shpejta, siç vlerëson vet ai, nuk pritet të sjellin ndryshime.

“Ajo që po ndodh tash është absolutisht një tendencë e qartë e politikanëve kryesorë, kryesisht këtyre në pushtet, pra pushtetarëve, që ta mbajnë Kosovën në drama të vazhdueshme, ta mbajnë në procese zgjedhore të cilat nuk po kanë fund, dhe në të njëjtën kohë një mungesë totale e një qasjeje ose platforme nacionale për me siguruar Kosovën. Dhe në të njëjtën kohë e kanë edhe synimin që të lodhen qytetarët sa më shumë, që ata të mos kenë interes për zhvillimet e përditshme edhe përmirësimin e jetës së tyre. Njëjtë duket edhe për çështjen e presidentit. Pra, momentalisht duket qartë se Kosova shkon në zgjedhje, pa çka se nuk besoj që zgjedhjet e shpejta do të ndryshojnë rezultat në mënyrë të dukshme, dhe kjo për faktin se nuk shohim as riorganizim të partive aktuale, jo pushtetore dhe opozitare, të cilat absolutisht e kanë të domosdoshme të ristrukturohen në mënyrë që qytetarët t’i besojnë”, deklaron ai.

Teksa flet për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Ramadani thotë se do të ketë edhe një rënie të pjesëmarrjes qytetare, si pasojë e zhgënjimit të akumuluar kohëve të fundit.

Kësisoj, ai paralajmëron lëvizje nga vet qytetarët, për çka konsideron se do të jetë alternativë për të ardhmen.

“Unë besoj që së pari, për të ndryshuar një situatë të tillë dhe të ndërtuar një kulturë tjetër politike, është e domosdoshme të krijohet një front i përbashkët i lëvizjeve politike, gjë e cila duket qartë se nuk do të ndodhë, sepse kanë interesa personale ose grupore, dhe në të njëjtën kohë nuk kanë asnjë platformë të përbashkët se cila do të ishte alternativa për një qeverisje më të mirë dhe për një Kosovë më të sigurt. Ajo që e shoh, me shumë njerëz në Kosovë, krijohet ose ka filluar të krijohet një apati politike dhe rrjedhimisht edhe numri i votuesve mund të jetë shumë më i vogël në zgjedhjet e shpejta nëse ndodhin në qershor apo në korrik, dhe kjo domosdoshmërisht do ta ndërtojë një moment në të cilin, nëse partitë politike nuk riorganizohen, qytetarët do të riorganizohen në një lëvizje të re që do të ishte një alternativë për vitet e ardhshme”, shton ai.

Qytetarët nuk mund të presin deri në pafundësi partitë politike për të ofruar zgjidhje, thotë analisti Burim Ramadani.

Ai thekson se është rritur disponimi i qytetarëve për t’u organizuar jashtë strukturave aktuale politike.

“Unë e shoh që kjo po ndodh, unë e shoh që ka absolutisht disponim te njerëzit, kontribuuesit, të rinjtë e të tjerëve, dhe është në pritje nëse partitë politike aktuale do të riorganizohen ose jo, e që është edhe thirrje ndoshta prej të fundit për subjektet politike që të reformohen, të riorganizohen dhe të ndërtojnë një koncept të ri…Po flasim për njerëz që kanë qenë kontribuues në etapa të ndryshme, njerëz që e duan Kosovën dhe sidomos gjeneratat e reja”, thekson ai.

Madje, pritjet e Ramadanit janë se ky grupacion i ri politik do të ndryshojë situatën.

“Kjo lëvizje mund të krijojë një shpresë të re për qytetarët dhe një momentum krejtësisht të ri politik, i cili do ta ndryshojë situatën, por se nuk mund ta ndryshojë shpejt, pra për një periudhë të caktuar. Sërish, unë shpresoj edhe besoj që partitë politike aktuale do të mund të riorganizohen, do të mund të bëhen në një koncept të përbashkët, të ndërtojnë një alternativë. Porse, prej kësaj që e kemi parë, sidomos prej shkurtit të vitit të kaluar e deri më tash, shohim se strukturimi i tyre është kryesisht i lidhur me interesat e ngushta, të cilat e kanë dëmtuar një opsion tjetër, një alternativë tjetër, dhe në mungesë të një alternative tjetër, qeveria aktuale ka mbetur në funksion dhe po e mban peng zhvillimin e Kosovës”, përfundon ai.

Albulena Haxhiu, si kryekuvendare, ka marrë detyrën e presidentit më 5 prill, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ajo mund ta ushtrojë këtë detyrë deri më 5 tetor, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri më 28 prill, afat ky i dalë nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.

Komento: