Kosova në një grup me Zvicrën, reagon kryetari i ‘Dardanëve’

14:28 | 09 October 2022

Zvicra njëri nga rivalët e Kosovës, reagon kryetari i ‘Dardanëve’.

Kombëtarja e Kosova ka mësuar sot rivalët e kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024 ku do të ballafaqohet me Zvicrën, Bjellorusinë, Izraelin, Rumaninë dhe Andorrën.

Menjëherë pas shortit, kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët” Lulzim Berisha ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” ku ka thënë se thënë se asnjë dështim nuk do të justifikohet më.

Për më tepër, ai ka lëshuar edhe një paralajmërim për “mikëpritje të ngrohtë” ndaj atyre që ai i ka quajtur “mashtrues e shantazhues”, që shihet se dedikim ndaj futbollsitëve kosovarë që zgjodhën ta përfaqësojnë Zvicrën.

Ja reagimi i plotë i Berishës:

“Sot, ishim dëshmitarë të një dite të rëndësishme, pasi u hodh shorti për Euro 2024.

Kosova jonë e dashur i mësoi kundërshtarët. Do të luajmë ndaj kombëtareve që nuk është mirë të nënvlerësohen, por fatmirësisht u mënjanuan grupet e ferrit.

Justifikimet nuk kanë vend më. Duam të dalim me sa më shumë pikë nga ky grup dhe të kualifikohemi në Evropian.

Arsyetimet janë të tepërta. Çdo dështim do të jetë i pafalshëm. Vetëm humbësit gjejnë alibi ngado që të sillen. Ne duhet ta nisim këtë rrugëtim me mentalitet fituesish.

Dhe, atyre që na sorollaten, mashtruan, shantazhuan e gënjyen – do t’u rezervohet një “mikpritje e ngrohtë” nga Dardanët. Jua jap fjalën.

I presim në stadiumin tonë. Do ta kuptojnë se nuk kemi harruar asgjë.

Besa, besë!”.

Komento: