Kosova nis negociatat për marrëveshjen ndërkombëtare për tregti të lirë

21:00 | 01 September 2022

Kosova ka hapur negociatat drejtë marrëveshjes të tregtisë së lirë.

Republika e Kosovës dhe shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni,) janë takuar në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nëpërmjet ekipit negociator të përbërë dhe udhëhequr nga Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Arjeta Shaqiri Latifi, shefe e kabinetit të ministres Rozeta Hajdari dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Dogana e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë zhvilluar negociata me delegacionin e EFTA-s të kryesuar nga Karin Büchel, Ministre në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës.

Sipas një komunikate të MINT-së, palët negociuse diskutuan mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

“Ndërsa, investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare u trajtuan në nivel të krerëve të delegacioneve dhe u pajtuam që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahet në Republikën e Kosovës.
Shtetet e EFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Kosovës. Shkëmbimet tregtare me këto vende kanë shënuar vazhdimisht rritje. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro.

Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte 35,6 milionë euro, rrjedhimisht një bilanc tregtar pozitiv.

Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus te veçantë rritjen e eksporteve dhe investimeve.
Diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme. Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022”,thuhet në komunikatë.

Komento: