Kosova nuk ia del në Dublin, Irlanda triumfon dhe ia merr vendin e dytë

22:47 | 17 Nëntor 2026

Kombëtarja e Kosovës e ka pësuar një humbje të rëndë dhe dëshpëruese në Dublin ndaj Irlandës, në ndeshjen e vlefshme për Ligën B të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” janë mposhtur me rezultat të pastër prej 3-0 në “Aviva Stadium”, duke luajtur më shumë se një orë me një lojtar më pak në fushë.

Kjo pasi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq, në minutën e 27-të, dhe pas asaj nisën momentet e këqija për Kosovën.

Një minutë më vonë, nga pika e bardhë e penalltisë, pas veprimit të Hajrizit, shënoi Troy Parrott.

Pas përfundimit të pjesës së parë me shifrat prej 1-0, Parrott e gjeti edhe golin e dytë – sërish nga penalltia.

Ai shënoi në minutën e 50-të për 2-0 dhe dukej që atëherë i shoi shpresat e Kosovës për rezultat pozitiv.

Goditjen e fundit Kosovës ia dha Jack Moylan, në minutën e 75-të, kur shënoi për 3-0.

Pas këtij rezultati, Kosova e ka humbur pozitën e dytë në grupin B3 të Ligës së Kombeve.

Kombëtarja dardane përfundoi e treta me gjashtë pikë nga gjashtë ndeshje, duke mbetur në Ligën B.

Kështu, Kosova ka humbur edhe “play-offin” për Ligën A, dhe vendin në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të rregullta të EURO 2028-ës.

POZICIONET PËRFUNDIMTARE TË GRUPIT B3:

Austria – 11 pikë

Irlanda – 8 pikë

Kosova – 6 pikë

Izraeli 4 pikë

Komento: