Kosova nuk ia din për kursime, shpenzon pa kontroll edhe energji elektrike

15:48 | 09 Gusht 2019

Prodhimi i energjisë elektrike duke përdorur burimet fosile dhe shpenzimi i pakontrolluar i saj, që si pasojë po shkatërrojnë atmosferën dhe shtresën e ozonit, përbëjnë një shqetësim global.

Duke parë këto probleme, ekspertë të ndryshëm kanë shqyrtuar mundësitë që të zvogëlohet përdorimi i fosileve dhe gjetja e metodave më efiçiente për prodhimin e energjisë si dhe ngritjen e performancës së energjisë në ndërtesa. Ndërtesat konsiderohet të jenë ndotësit më të mëdhenj, të cilat lirojnë rreth 40% të dioksidit të karbonit. Por në Kosovë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e masave efiçiente për prodhimin e energjisë dhe reduktimin e shpenzimeve mbetet ende i ulët. Një numër i madh i shtëpive apo ndërtesave rezidenciale nuk kanë termoizolim apo ndonjë masë tjetër efiçiente. Për të rritur performancën e ndërtesave, institucionet publike në Kosovë kanë filluar të ndërmarrin disa masa efiçiente siç janë ndërrimi i dyerve dhe dritareve, termoizolimi i objektit dhe instalimi i ngrohjes qendrore.

Target kryesor kanë qenë dhe janë ndërtesat publike përfshirë këtu institucionet shkollore, shëndetësore dhe ato të administrates, mirëpo shkalla e masave efiçiente në ndërtesa publike është e ulët, ndërkaq janë një varg problemesh që kanë penguar realizimin e projekteve mbi masat efiçiente të energjisë, si mosinteresimi i institucioneve për t’u marrë seriozisht me këtë çështje qëështë një nga obligimet e marrëveshjeve ndërkombëtare që ka shteti i Kosovës, e që buron nga vetëdija e ulët qytetare dhe institucionale.

Me Planin e Veprimit për Efiçiencë të Energjisë, Kosova përgjatë periudhës 2010-2018 ka synuar të arris cakun prej 9% në kursimin e energjisë elektrike. Mirëpo, institucionet kanë ngelur pas në arritjen e këtyre objektivave. Varshmëria e madhe ndaj burimeve fosile, mungesa e kapaciteve njerëzore dhe financiare, mos-qëndrueshmëria e projekteve, mungesa e mekanizmave monitorues, ndërtesat e vjetëra e të pa-rinovuara vazhdojnë të paraqesin problem në rritjen e efiçiencës së energjisë.

Se Kosova ka ngecur pas në përmbushjen e caqeve dhe obligimeve që burojnë si nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ashtu edhe nga Komuniteti i Energjisë, e pranojnë edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Sipas të dhënave të kësaj Ministrie, caku prej 9% nuk pritet të arrihet, gjersa vendet e Bashkimit Evropian po synojnë së paku të arrijnë cakun 20% në dy vitet e ardhshme. Kurse për të bërë hapa konkret në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të energjisë elektrike që nënkupton zvogëlim i mundësive për dëmtimin e ambientiti mbetet institucioneve shtetërore të tregojnë seriozitet në këtë aspekt dhe të ndërmarrin veprime emergjente.

Kosova në vitin 2005 e ka miratuar një document për energji të titulluar “Strategjia e Kosovës për Energji (2005-2015)”, e cila kryesisht u fokusua në prodhimin e energjisë përmes burimeve fosile, duke lënë anash burimet e ripërtëritshme të energjisë. Kjo strategji u rishikua në vitin 2009 me “Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2009-2018”. Ndonëse në vitin 2018 vendet e BE-së fokusin e kishin drejt burimeve alternative të pastërta, Kosova si një ndër objektivat strategjike në kuadër të kësaj Strategjie vazhdoi ta ketë përdorimin e burimeve fosile, përkatësisht linjitit. Strategjia e vitit 2009-2018 vë në pah rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me direktivat, normat dhe standardet e BE-së.

Përputhshmëria e legjislacionit vendor me legjislacionin e BE-së, është obligim për Kosovën që buron nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016. Duke qenë se Kosova synon të integrohet në Bashkimin Evropian, strategjia kërkon zbatimin e objektivave 20-20-20 të planit të BE-së për fushën e energjisë, ku nga vendet e BE-së kërkohet që deri në vitin 2020: të reduktohet 20% emitimi i gazrave që krijojnë efektin serrë; të rrittet 20% e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtitshme në konsumin e energjisë; dhe përmirësimin me 20% të efiçiencës së energjisë.

Integrimi i Kosovës në tregun përbashkët rajonal që përfshinë Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë; zbatimi i acquis të energjisë të lidhura me: konkurrencën në tregun e energjisë; ruajtjen e mjedisit; efiçiencën e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, janë disa nga obligimet që burojnë nga kjo Marrëveshje e që Kosova duhet t’i përmbush. Në këtë drejtim, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka hartuar “Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026”. Integrimi në tregun rajonal të energjisë nga të gjitha palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë është një ndër objektivat e kësaj Strategjie. Kjo do të thotë se Kosova duhet të zbatojë të gjitha direktivat dhe rregulloret e BE-së që rregullojnë fushën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Mirëpo, zbatimi i masave dhe standardeve të BE-së në Kosovë me gjasë do të jetë shumë sfidues, veçanërisht pasi që ngritja e kapaciteteve të energjisë vazhdon të mbështetet në burimet fosile.

Sa i përket planifikimit të politikave, Kosova ka hartuar Planin e Veprimit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (2010-2018). Gjatë hartimit të këtij plani është vërejtur se objektiva strategjike 20-20-20 është tejet ambicioze për Kosovën. Andaj, ky plan ka miratuar caqet indikative prej 9% apo 1021.08 (ktoe) që duhet të arrihet në fund të vitit 2018 ashtu që të arrihet vlera e kursyer e energjisë prej 91.89 (ktoe). Ky cak është përcaktuar me Direktivën 2006/32/KE, e cila synon ta bëjë përdorimin përfundimtar të energjisë sa më ekonomik dhe efiçient, duke vendosur targete stimuluese dhe duke krijuar kornizën e duhur ligjore, institucionale dhe financare për të mënjanuar barrierat të cilat pengojnë shfrytëzimin efiçient të energjisë, ndërkohë qëme hyrjen në fuqi të Direktivës 2012/27/BE u vendos caku prej 20% për kursimin e energjisë deri në vitin 2020.

Sfidat kryesore, mungesa e fondeve dhe rezurseve njerëzore

Sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e Kosovës në arritjen e caqeve dhe ngritjen e performancës energjetike të ndërtesave, përkatësisht në realizimin e projekteve dhe promovimin e efiçiencës së energjisë janë mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe fondeve të veçanta.

AKEE dhe MZHE janë dy institucionet përgjegjëse për arritjen e caqeve Kosovës në Efiçiencën e Energjisë dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me acquis të BE-së. Mirëpo, realizimi i këtyre obligimeve të përbashkëta mbetet mjaft sfidues si pasojë e alokimit të pamjaftueshëm të mjeteve financiare nga Qeveria, mos implementimit të projekteve të cilat kanë të bëjnë me masat efiçiente në ndërtesat publike si dhe zbatueshmëria e ngadaltë e projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe KfË. Poashtu, kompetencat e përziera dhe të paqarta përbëjnë sfidë tjetër për AKEE-në gjë që po i kushton në mbarëvajtjen e punëve.

Raportimet e projekteve dhe të arriturave në Komuna kryhen nga AKEE, mirëpo zhvillimi dhe zbatimi i politikave nuk bëhet gjithmonë nga ky institucion. Ky problem është identifikuar edhe në raportin e auditorit të brendshëm, por asnjë veprim konkret nuk është marrë për ta përmirësuar këtë të metë. Si rrjedhojë, kjo po ndikon edhe në mbarëvajtjen e punës në Komuna të cilat nuk janë të informuara saktë se cilit institucion duhet të i’u drejtohen lidhur me projektet që ato kanë planifikuar.

Decentralizimi i përgjegjësive në shumë institucione vetëm sa po i kontribuon përkeqësimit të këtyre problemeve dhe vazhdon të shkaktojë konfuzitet. Përveç dy institucioneve të lartpërmendura, përgjegjëse për disa punë të cilat ndërlidhen me efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike është edhe Ministria e Administratës Publike (tani e tutje ‘MAP’).

Në kuadër të kësaj Ministrie, Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare, është përgjegjës për menxhimin direkt të 69 ndërtesave qeveritare dhe ka qasje në të gjitha shpenzimet e energjisë elektrike, ngrohjes, ujit etj. Gjithashtu, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tani e tutje ‘MMPH’), përmes Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, ka qenë bartëse e disa akteve ligjore që synojnë ta rrisin performancën energjetike në ndërtesa.

Kjo Ministri ka qenë sponzorizuese e Ligjit për Performancën Energjetike në Ndërtesa (Nr. 05/L-101) si dhe bartëse e disa akteve nënligjore që rregullojnë: Kursimin e Energjisë Termike; Kërkesat Minimale të Performancës Energjetike në Ndërtesa; si dhe Çertifikimin e Performancës Energjetike në Ndërtesa. Duke qenë se detyrat dhe përgjegjësitë karshi masave efiçiente të energjisë janë të shpërndara në disa institucione dhe komunikimi ndërmjet tyre nuk është efikas, atëherë edhe mbarëvajtja e punëve me rregull është vështirë e realizueshme.

Sa ndërtesa publike janë dhe sa miliona euro shpenzohen për rrymë

Kosova është duke mbetur prapa në zbatimin e targetit të përgjithshëm, kjo si rrjedhojë e mungesës së burimeve financiare për të investuar në masat e efiçiencës së energjisë. Kurse arrihet tëkursehet vetëm 1% nga 3% e planifikuar për kursimin e energjisë.

Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike është një projekt i cili i ofron mundësinë Qeverisë dhe Komunave të reduktojnë shpenzimet e tyre buxhetore. Sipas statistikave të marra nga raporti i Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës shpenzon mbi 22 milionë euro në vit për faturat e energjisë në ndërtesat publike dhe mund të kursente 20%-30% në vit nëse do të zbatoheshin masat efiçiente të energjisë.Qeveria zotëron 369 ndërtesa, ose rreth 18.7% të totalit të stokut të ndërtesave publike. Sipërfaqja e përgjithshme e këtyre ndërtesave është 745,301 m² dhe konsumi i përgjithshëm i energjisë për vitështë rreth 90,000 MWh (ose rreth 8 ktoe) ose mbi 6 milionë euro.

Sektori i banimit përfaqëson pjesën më të madhe të konsumit të energjisë me 39%, industria me 27%, transporti 23%, shërbimet apo sektori publik konsumon 9% dhe bujqësia me 2%. Stoku i ndërtesave komunale përfshin rreth 1600 ndërtesa me sipërfaqe prej 1.6 milion m2, me konsum të përgjithshëm të energjisë prej reth 217,000 MWh në vit (rreth 18ktoe) ose afër 16 milionë euro. Ndërtesat komunale janë kryesisht shkollat, kopshtet për fëmijë, qendra shëndetësore dhe ndërtesat e administratës komunale. Burimet kryesore të energjisë për hapësirën brenda objektit dhe për ngrohjen e ujit në ndërtesat publike komunale janë burimet e biomasës, përkatësisht: dru zjarri rreth 30%; naftë 28%; energji elektrike 23%; linjit 14%; dhe ngrohja qendrore rreth 4%. Përveç ndërtesave, sektor i madh i konsumit të energjisë janë rrugët publike me rreth 35 GWh në vit, ose 4.5 milionë euro në vit.

Caku për kursimin e energjisë në Kosovë për periudhën 2010-2018 ka qenë 9%, ku për çdo tri vite ka qenë synim të arrihet caku prej 3%. Mirëpo, vetëm në periudhën e parë (2010-2012) është arritur targeti prej 3%. Për të arritur caqet e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike nevoiten investime në renovim, kurse njënumër i madh i ndërtesave publike në Kosovë janë vjetëruar pasi që më shumë se gjysma e stokut të ndërtesave të Kosovës janë ndërtuar në periudhën 1970-1985. Këto ndërtesa kërkojnë investime të menjëhershme në izolimin termik, në ndryshimin e dritareve të cilat duhet të jenë efiçiente, në ngrohje efiçiente të hapësirës brenda ndërtesave dhe në sistemin e ujit të nxehtë për të ruajtur vlerën e pronës dhe për të përmirësuar komoditetin e pjesëmarrësve në ndërtesë.

BE krijon në Kosovë fond të veçant për efiçiencë të energjisë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka bërë kërkesë institucioneve të BE-së, që të ndihmojnë Kosovën në krijimin e një fondi të veçantë për Efiçiencën e Energjisë. Dhe ky Fond u krijua në fund të shkurtit të vitit 2019, ku donator kryesor është BE-ja. Fondi do të financojë masat e efiçiente të energjisë në ndërtesat publike si: shkollat, kopshtet për fëmijë, ndërtesat shëndetësore, spitalet dhe ndërtesat e tjera publike. Investimi rimbursohet përmes faturës së reduktuar të energjisë. Në këtë rast, ndërtesa vazhdon të paguajë të njëjtin nivel të faturës të energjisë, ndërkohë që diferenca para dhe pas zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë kthehet në fond nëpërmjet një marrëveshjeje për shërbimin e energjisë ose të ngjashme.

Kurse edhe projektet në të cilat AKEE dhe MZHE janë angazhuar janë të financuara kryesisht nga nga institucionet ndërkombëtare. Që nga pas lufta institucionet ndërkombëtare kanë investuar në institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë. Në kuadër të këtyre investimeve është përfshirë efiçienca e energjisë. Disa nga donatorët të cilët kanë kontribuar në këtë fushë janë: Komisioni Evropian me 16.5 milionë euro dhe Banka Botërore me 31 milionë euro, disa projekte të së cilës janë ende në vazhdimësi. Poashtu, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (tani e tutje ‘BERZH’) përmes një lloj kredie që iu është dhënë bankave komerciale ka investuar në projekte për ndërtesat rezidenciale. Mirëpo, nuk ka të dhëna të sakta se sa ka qenë shuma e atyre kredive dhe se a janë alokuar për qëllimin e përcaktuar, të paktën zyrtarisht institucionet e vendit nuk i posedojnë këto të dhëna. Problem këtu ka qenë edhe te BERZHN-i, që nuk ka raportuar tek institucionet e vendit për mbarëvajtjen e projektit.

Duke u nisur nga këto të dhëna kuptojmë se problem kyç për mbarëvajtjen e shumë projekteve është mungesa e transparencës në menaxhimin e parave dhe mungesa e monitorimit të të arriturave të projektit. Shoqëria civile ka ngritur edhe shqetësimin mbi qëndrueshmërinë e zhvillimit të projekteve, çështje e cila nuk adresohet gjatë hartimit dhe implementimit të projekteve në Kosovë. Ka projekte të cilat janë implementuar brenda afatit të përcaktuar kohor, mirëpo askush nuk ofron siguri nëse ato projekte do të vazhdojnë të kenë ndikim të vazhdueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë, edhe në të ardhmen. Bazuar në projekt dokumentet e publikuara në faqen e AKEE-së investimet mbi masat efiçiente janë duke ndodhu, madje në disa objekte janë përfunduar punimet.

Kryesisht është investuar në gjashtë lloje të ndryshme të ndërtesave: ndërtesat e prokurorisë dhe gjykatave; ndërtesat industriale; institucionet publike edukative si universitete dhe shkolla; spitale regjionale dhe qendra të mjekësisë familjare; ndërtesa të transoportit; si dhe në pilot-projektim “Near Zero Energy House” (tani e tutje ‘NZEB’) në ndërtesat publike.

Disa investime të BE-së janë bërë në bashkëpunim me Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në kuadër të MAP-it, ku tregohet se një ndër ndërtesat më efiçiente është Pallati i Drejtësisë i cili ka një sipërfaqe 50.000 m2.

Ky objekt në raport me ndërtesat e tjera ka qenë i suksesshëm në aspektin e efiçiencës duke marrë parasysh se ajo furnizohet me energji elektrike nga panele fotovoltaike dhe ngrohet me pompa gjeotermale. Pasi është bërë një krahasim i disa ndërtesave me Pallatin e Drejtësisë janë vërejtur ndryshimet e mëdha në aspektin e kursimit të energjisë dhe ky departament ka marrë vendim që të ndryshohet ndriçimi në ndërtesat qeveritare nga ato fluoroshente në ato ekonomike dhe të shiqohen mundësitë në intervenime të tjera.

Promovimi i Efiçiencës së Energjisë

Ndonëse që nga viti 2008 është punuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e efiçiencës së energjisë, projektet nuk kanë treguar sukses. Gjatë intervistës me AKEE-në është diskutuar edhe rreth hapave që janë ndërmarrë për promovimin e EE-së. AKEE tregon se këtë kompetencë e kanë marrë në vitin 2018, pasi që deri vonë ka qenë në kuadër të MZHE-së. Paratë të cilat janë ndarë nga MZHE-ja për promovimin e EE-së dhe BRE-ve kanë qenë nga €50.000 për çdo vit, mirëpo AKEE nuk ka informata të sakta se ku janë alokuar këto mjete. Agjencioni ka treguar se nga viti 2018 ka një program, jo shumë gjithpërfshirës, për efiçiencë të energjisë që ka karakter promovues për nivelin local, ndërsa theksojnë se duhet të ketë investime milionëshe që të arrihet një vetëdijësim i plotë i qytetarëve rreth EE-së.

Një projekt tjetër i MZHE-së është zhvilluar gjatë vitit 2012-2013 në bashkëpunim me UNDP-në dhe pesë Komuna në Kosovë, por që edhe ai s’ka pasur sukses. Ideja ka qenë që në çdo komunë të vendosen monitora televiziv të cilat do të shfaqin shpenzimet elektrike brenda objektit. Mirëpo, pas një jave në Komunën e Prishtinës monitori ka qenë i fikur dhe fletushkat të shpërndara në tokë. Si pasojë projekti ka dështuar qysh në fillim dhe është ndërprerë.

Kjo tregon se problem kyç në zbatimin e projekteve dhe arritjen e rezultateve në Kosovë, veçanërisht në projektet që synojnë promovimin e efiçiencës së energjisë është mungesa e monitorimit.

Në mungesë të mekanizmave monitorues nuk shihen rezultatet dhe projektet nuk tregojnë qëndrueshmëri.

Krahas institucioneve shtetërore, edhe shoqëria civile ka ndërmarrë disa iniciativa për promovimin e EE-së. Mirëpo, as projektet e implementuar nga ta nuk kanë arritur të tregojnë rezultatet e dëshiruara apo të ngrisin vetëdijen ndaj rëndësisë së këtyre masave.

Ndonëse, ata i vlerësojnë këto kampanja si mekanizma të duhur, problemi qendron në mënyrën e dizajnimit, fondet e limituara dhe mungesa e qëndrueshmërisë së projekteve. “Qeveria nuk ka ndonjë plan konkret për implementimin e projekteve që promovojnë efiçiencën e energjisë. Për të siguruar qëndrueshmëri të projekteve të EE-së, Qeveria duhet të përkushtohet në këtë drejtim dhe të thotë se ky është vit i Efiçencës së energjisë”, thotë Learta Hollaj, nga organizata joqeveritare INDEP.

Korniza ligjore energjetike

Korniza ligjore që e rregullon fushën e energjisë në Kosovëështë pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së. Aktet kryesore që e rregullojnë këtë fushë janë:

– Ligji për Energjinë (Nr. 05/L-081);

– Ligji për Efiçiencë të Energjisë (Nr. 06/L-079);

– Udhëzimi Administrativ për Auditimin e Energjisë (Nr. 01/2012);

– Ligji për Performancën Energjetike në Ndërtesa (Nr. 05/L-101);

– Rregullorja për Inspektimin e Ngrohjes dhe Ajrit të Kondicionuar (MMPH Nr. 01/2018);

– Ligji për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L – 085);

– Ligji për Rregullatorin e Energjisë (Nr. 05/L-084);

– Ligji për Ndërtim (Nr. 04/L-110);

Efiçienca e Energjisë në Komuna

Progres nuk ka pasur as në nivelin lokal. Te të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizrenka ngecje në hartimin e planeve komunale 2019-2021, për efiçiencë të energjisë. Ndonëse të obliguara me ligj, komunat nuk kanë menaxherë të energjisë dhe as fonde të veçanta për aplikimin e masave efiçiente.

Në bazë të nenit 6, të Ligjit për Efiçiencë të Energjisë (Nr. 06/L-079)duke filluar nga 28 shkurt i vitit 2019, për çdo tri vite, komunat përgatisin dhe i dorëzojnë në AKEE draft-planet komunale të veprimit për efiçiencë të energjisë. Këto plane duhet të përfshijnë politikat dhe masat e propozuara për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në të gjithë sektorët që funksionojnë në nivel komunal. Të gjeturat tregojnë se asnjëra nga komunat nuk i ka zbatuar me përpikmëri obligimet që burojnë nga ligji i efiçiencës së energjisë si dhe nga aktet nënligjore për performancën në ndërtesa, të sponzorizuara nga MMPH.

Nga shtatë komunat e intervistuara, të gjitha janë të obliguara të hartojnë planin komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë, për periudhën 2019 – 2021. Vetëm Gjilani e ka finalizuar këtë plan, gjersa komunat e tjera posedojnë vetëm drafte të cilat ende nuk janë miratuar nga Kuvendet Komunale. Mirëpo, deri më tani nuk ka as ndonjë monitorim apo raport statisitikor mbi masat të cilat po i ndërmarrin komunat dhe ndikimin që ato kanë në arritjen e objektivave strategjike, caqeve dhe rritjen e performancës së ndërtesave.

Ndërkaq, të gjitha nismat që janë ndërmarrë në nivelin lokal kanë qenë të mbështetura nga donacione dhe projekte të huaja. Numri i intervenimeve vetanake komunale është shumë i ulët. Disa masa të cilat vetë komunat i kanë ndërmarrë janë ndryshimi i ndriçimit publik me drita LED dhe përdorimi i programit ENMASOFT, i cili ka si qëllim të bëjë menaxhimin e energjisë në ndërtesa dhe t’i kalkuloj të gjitha shpenzimet në ndërtesa. Disa Komuna si masë efiçiente kanë pasë ngrohjen publike, përkatësisht Komuna e Prishtinës përmes Termokosit dhe Komuna e Gjakovës përmes Ngrohtores së Qytetit.

Është interesante se institucionet qendrore i konsiderojnë të gjitha rinovimet si masa efiçiente edhe pse nuk quhen të tilla. Kjo mund të tingëlloj edhe si një lloj mashtrimi që bëhet institucioneve ndërkombëtare ku raportohet për progresin në fushën e efiçiencës së energjisë. Në raportet institucionale thuhet se komunat në vazhdimësi marrin përsipër masa efiçiente në ndërtesat e tyre. Duke i’u referuar Ligjit për Buxhetin për vitin 2019, rreth 50 milionë euro janë planifikuar në rinovim ose ristrukturim të ndërtesave publike të Komunave në Kosovë.

(Ky hulumtim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim I Bashkimit Evropian ose Birn-it dhe Agk-së).

Komento: