Kosova nuk importon vezë nga Serbia – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kosova nuk importon vezë nga Serbia

09:44 | 06 Janar 2019

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci ka bërë të ditur se importi i vezëve nga Serbia është i ndaluar.

Javë më parë në magjistralen Mitrovicë-Skenderaj oficerët doganor kishin kapur një kamion me 500 pako vezë që dyshohet se ishin kontrabanduar nga Serbia, të cilat nuk posedonin dokumentacionin përcjellës.

Importi i vezëve nga ky shtet zyrtarisht nuk është i lejuar. Këtë e konfirmon edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci i cili për Ekonomia Online tha se të gjitha produktet që vijnë nga një shtet nuk lejohen kur nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm ku tregohet origjina e atij produkti ndërkaq nga Serbia tha se nuk lejohen fare.

Gjinovci tha se bashkëpunimi i mirë që ka AUV-i me Policinë e Kosovës dhe Doganën ka bërë që këto kontrabandime të jenë në sasi më të vogël.

“Importi i vezëve nga Serbia zyrtarisht nuk lejohet sepse akoma nuk kemi harmonizim të certifikatave të autoriteteve të tyre, e dyta sa i përket produkteve ushqimore të cilat dyshohen si të kontrabanduara falë bashkëpunimit të mirë qe kemi me Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës edhe AUV është pjesë e integruar për menaxhim të kufirit arrihet që brenda një kohë të shkurtër të gjitha informacionet që vijnë nga produktet që konfiskohen në këtë formë të realizohet asgjësimi i tyre për produktet e dyshimta, por që nuk kanë një dokumentacion përcjellës apo shoqërues”, tha Gjinovci.

Skandali me mishin e prishur të importuar nga Belgjika në fillim të vitit kishte krijuar shqetësim tek konsumatorët dhe mos besim ndaj produkteve të kafshëve në Kosovë, por kjo dukuri sipas Gjinovcit tashmë nuk ekziston.

“Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë qysh me kohë ka ndërmarrë veprime të nevojshme, kemi pas nga importi dhe ka realizuar me kohë asgjësimin e tij dhe nuk ka lejuar futjen e tij apo importin e tij”, tha Gjinovci.

Ai tha se edhe konsumatorët janë vetëdijesuar dhe kanë raportuar të gjitha shqetësimet e tyre lidhur me produktet për të cilat janë vë në dyshim.

Komento: