Kosova pa diplomaci kundër barrikadave

22:58 | 28 September 2021

Tash e nënte dite rrugët që çojnë drejt pikave kufitare veriore, Jarinje e Bërnjak janë bllokuar nga protestuesit serb.

Ata janë të pakënaqur me vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare po apelon tek dy palët, autoritetet kosovare dhe ato serbe që të ulin tensionet, dhe të gjejnë një zgjidhje paqësore pavarësisht se kush ka të drejtë.

Veprimin e qeverisë së Kosovës, po e mbështet ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, por thekson se ekzekutivi është dashur të bëjë edhe një strategji tjetër, përveç asaj policore

“Njësia Speciale e Kosovës është në kufi, pasi Serbia po e kërcënon Kosovën, dhe situata është serioze. Veprimi në lidhje me objektivin ka qenë i drejtë, por taktik dhe qeveria Kurti, duhet të dalë me një strategji të qartë se si të fitojë zemrat dhe mendjet e miqve tanë ndërkombëtarë”.

Madje, Hoxhaj tërheq vërejtjen edhe për një rrezik që mund t’i kanoset shtetit të Kosovës

“Mos koordinimi me ndërkombëtaret mund ti dëmton interesat e Kosovës, me qe kure udhëheqë politike te jashtme është jetike qe veprimet taktike te kenë një strategji me te qarte, meçe ne nuk e dimë se qeveria Kurti a është duke i zbatuar marrëveshjet e kaluara apo ky raste është i izoluar e nuk ka qartësi deri me tash”.

Hoxhaj, që ishte pjesë e qeverisë së Kosovës kur ishin kryer operacione të ngjashme në veriun e kontrolluar nga serbet tregon si ishte vepruar në atë kohë.

Zgjidhja për situatën e aktuale do të provohet të gjendet në takimin e të mërkurës në Bruksel, në mes shefave të delegacioneve për dialog Kosovë-Serbi.

Komento: