Nuk është vendosur fusnotë në dokumentin ku u paraqit Kosova në Bruksel.
Kjo ka ngjallur protesta tek përfaqësuesit serb në takimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Komitetit të Bashkimit Evropian dhe Serbisë.
Mosvendosja e fusnotës në dokumentin ku u paraqit Kosova, ka shkaktuar nervozizëm te pala serbe në takimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Komitetit të Bashkimit Evropian dhe Serbisë.
Siç shkruajnë mediet serbe, për shkak të paraqitjes së Kosovës pa fusnotë, përfaqësuesit e Serbisë që po merrnin pjesë në këtë takim kanë protestuar, transmeton lajmi.
Goran Vesiq, nënkryetar i Beogradit, ka bërë të ditur se ka qenë Ivan Boshnjak, sekretar shtetëror në Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, i cili në emër të Serbisë e ka paraqitur këtë shqetësim duke protestuar.
“Ai kujtoi se në 2012 është nënshkruar një marrëveshje për mënyrën se si të zhvillohet administrata e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se bazuar në atë marrëveshje, emri i Kosovës duhet të jetë me fusnotë. Boshnjak ka kërkuar nga përfaqësuesit e BE-së që të respektojnë rregullat e tyre”, ka thënë Vesiq.
Kujtojmë se përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.