Kosova pjesë e iniciativës globale Pall Mall, Kurti: Bashkohemi me koalicionin demokratik kundër abuzimit teknologjik – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kosova pjesë e iniciativës globale Pall Mall, Kurti: Bashkohemi me koalicionin demokratik kundër abuzimit teknologjik

20:08 | 05 April 2025
kosova-pjese-e-iniciatives-globale-pall-mall,-kurti:-bashkohemi-me-koalicionin-demokratik-kunder-abuzimit-teknologjik

Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të Procesit Pall Mall, një iniciativë ndërkombëtare e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, e cila synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën në përdorimin e teknologjive kibernetike.

Kryeministri Albin Kurti, njoftoi për këtë hap të rëndësishëm përmes një deklarate në Facebook, duke e cilësuar anëtarësimin si pjesë e angazhimit të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, sigurinë kombëtare dhe rendin ndërkombëtar në epokën digjitale.

Me mbështetjen e këtij Kodi, Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

Procesi Pall Mall është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së Francës, e lansuar në shkurt të vitit të kaluar, që bën bashkë vendet demokratike të përkushtuara për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.

Kodi i Praktikave për Shtetet, i prezantuar zyrtarisht më 3–4 prill gjatë Takimit të Dytë të Procesit Pall Mall në Paris, synon të frenojë përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike, teknologji këto që gjithnjë e më shumë po paraqesin rrezik për privatësinë dhe sigurinë në mbarë botën.

Ky Kod përcakton parime udhëzuese për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, duke promovuar sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces e rreshton vendin përkrah shteteve që promovojnë përdorim etik dhe ligjor të teknologjisë, duke fuqizuar më tej pozicionin ndërkombëtar të saj si një partner i besueshëm dhe demokratik.

Komento:
loading