Kosova po boshatiset para liberalizimit

08:15 | 13 April 2019

Boshatisja e Kosovës nga të rinjtë po ndodh para liberalizimit.

Muri i Schengenit nuk po i pengon të rinjtë kosovarë të ikin nga vendi. Derisa vite më parë rreth 100 mijë kosovarë ikën ilegalisht nëpërmjet Hungarisë, tashmë shumë të tjerë po arrijnë legalisht në Evropë, duke u pajisur me viza pune në Prishtinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Frika se me liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian Kosova do të boshatiset nga të rinjtë nuk po rezulton të jetë reale, pasi me gjithë murin e Schengenit shumë kosovarë po ikin drejt Evropës.

Por emigrim i tillë tashmë po ndodh legalisht për dallim nga vite më parë kur rreth 100 mijë kosovarë kishin ikur nga vendi rrugëve malore nëpërmjet Hungarisë. Ambasadat e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian së fundmi e kanë lëshuar dorën, duke dhënë viza pune për punëtorët e kualifikuar nga Kosova, pasi në shtetet e tyre ka kërkesë të madhe për fuqi të re punëtore.

Javëve të fundit në mediet kosovare është raportuar se çdo natë disa autobusë me të rinj nga vendi po udhëtojnë drejt Kroacisë ose Gjermanisë, ku kanë gjetur vende pune. Madje është thënë se Ambasada e Kroacisë në Prishtinë është duke punuar me orar të zgjatur për t’i përmbushur kërkesat e bizneseve kroate për t’i siguruar punëtorët para fillimit të sezonit veror

Komento: