Kosova po e shfrytëzon rrymën e deponuar në Shqipëri, Rizvanolli: I kemi edhe 70 gigavatë

12:41 | 11 January 2023

Qeveria i ka bërë disa parashikime për furnizimin me energji elektrike deri në mes të marsit. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kanë paraparë se mund të nevojitet importimi i deri në 300 gigavatëve energji elektrike.

Aktualisht, Rizvanolli tha se po shfrytëzohet energjia elektrike e deponuar në Shqipëri.

“Gjatë kësaj periudhe jemi duke e shfrytëzuar edhe energjinë e deponuar në Shqipëri. Shfrytëzimi i energjisë nga Shqipëria ka shkuar shumë mirë gjatë javëve të kaluara. Aty i kemi të deponuara edhe rreth 70 gigavatë orë”, tha ministrja.

“Ne në fund të vitit që shkoi, gjithashtu kemi marrë edhe një vendim që ta autorizojmë KEK-un që në rast nevoje të mos përmbushjes së kërkesave për energji elektrike në vend të importojë deri në 385 gigavatë shtesë sipas nevojës dhe në bazë të analizave të ekspertëve. Deri tani, për fat nuk ka pasur nevojë që kjo të ndodh. Sido që të jetë, të gjitha situatat janë marrë që në rast të përkeqësimit të situatës, të sigurohet siguria e furnizimit”, shtoi ajo.

Çështja e importimit të energjisë elektrike, Rizvanolli tha se varet “nga ajo se sa konsumojmë dhe sa kursejmë”.

“Nga ana tjetër, varet shumë edhe nga ajo se sa Shqipëria do të jetë në gjendje të na ofrojë energji, varësisht nga situata atje dhe kërkesa atje për energji elektrike”, theksoi ajo.

Komento: