Kosova po tenton të arrijë marrëveshje gjigante me ShBA-të

23:41 | 18 June 2021

Kosova po tenton të bëjë një hap përpara për shfrytëzimin e gazit amerikan.

Kosova është në negocim me autoritetet greke dhe amerikane për shfrytëzimin e gazit për furnizimin e një termocentrali, pasi Komisioni Evropian aprovoi 166,7 milionë euro në formë mbështetjeje ndaj ndërtimit të terminalit LNG në Aleksandropoli.

Termocentrali në fjalë pritet të përdorë gazin amerikan, për të cilën Maqedonia e Veriut është bërë pala e dytë e interesuar. Dtt-net raportonse Kosova është duke negociuar me qeverinë greke dhe autoritetet amerikane që ta përdorë këtë lloj gazi për energji, shkruan Gazeta Express.

Gazi natyror transportohet në gjendje të lëngët duke përdorur cisternat e gazit LNG. Në terminalet LNG, gazi natyror i lëngshëm kthehet përsëri në gjendje të gaztë (rigasifikohet) pasi shkarkohet nga anijet dhe më pas shpërndahet në të gjithë rrjetin.

Projekti është paraparë në kuadër të Koorporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Në kërkesën buxhetore të përpiluar nga Administrata Biden është paraparë që të ndahen 200 milionë dollarë për implementimin e projekteve në kuadër të MCC’së në Kosovë, që përfshihen gazi dhe burimet e ripërtërishme.

Shfrytëzimi i gazit natyror nga MCC’ja është paraparë edhe si formë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

MCC, para dy muajsh, ka investuar 20.6 milionë dollarë në Kosovë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë së shtëpive dhe ndërtesave banesore. Projekti është paraparë të përmbyllet në shtator të 2022’ës.

Zbatimi i projekteve të MCC vjen si rezultat i marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Uashington përgjatë shtatorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, marrëveshjen e Uashingtonit nga Qeveria Kurti po e konsiderojnë “të pa vlerë juridikisht”.

“Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend”, ka deklaruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Sido që të jetë, për këtë marrëveshje administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, kishte deklaruar se duhet të implementohet.

“Administrata e Biden ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë baza për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, kishte thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Nga Qeveria Kurti thonë se kjo marrëveshje është jolegjitime “pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, e cila ishte po ashtu jolegjitime”.

Komento: