Kosova pranon 1 mijë teste për koronavirus donacion nga Serbia – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kosova pranon 1 mijë teste për koronavirus donacion nga Serbia

17:36 | 17 Prill 2020

Kosova pranon 1 mijë teste për Covid-19 nga Serbia.

1000 teste të tjera janë pranuar sot si donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit lidhur me masat kundër koronavirusit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, raporton KOHA.

“Para disa ditësh në IKSHPK janë liferuar 2.100 teste. Sonte arrijnë edhe 2.000 të tjera. 1.000 teste nga Republika e Turqisë janë ende të paprekura në stokun e MSh-së. 1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Serbia. Sot shpallet fituesi edhe për 10.000-13.000 të tjera”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kosova ka nënshkruar kontratën për furnizim me 7.000 teste më 23 mars, ndërkohë më 28 mars ka marrë 2.100 teste si pjesë e porosisë së përgjithshme. Sonte nga kjo porosi, pritet të mbërrijnë edhe 2.000 teste.

KOHA merr vesh se operatori ekonomik do të gjobitet me 0.25 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës për çdo ditë vonesë të përmbushjes së saj në tërësi.

Aktualisht, Kosova ka në stok edhe rreth 2.000 teste, përfshirë edhe 1.000 testet që kanë ardhur si donacion nga Turqia.

Nga 8 shkurti, në Kosovë janë testuar 3,915 persona, nga të cilët 449 kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi, dhe 12 të vdekur.

Të shëruar deri sot në Kosovë janë 79 raste.

Komento: