UEFA i dërgon Kosovës informata lidhur me kurdisjen e ndeshjeve.
Prokurori dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për luftimin e dukurive negative në sport, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se këshilli ka bashkëpunim të ngushtë edhe me UEFA-n, e cila u dërgon informata të shumta dhe të detajuara në lidhje me dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin kosovar.
Që nga themelimi i Këshillit Kombëtar për luftimin e dukurive negative në Sport dhe miratimit të ligjit përkatës, Kosova i ka pasur mjetet e nevojshme për ta luftuar kurdisjen e ndeshjeve.
Përkundër kësaj, dyshimet për kurdisje të ndeshjeve kanë vazhduar – si së fundi për ndeshjen Llapi – Drenica –dhe dënimet kanë munguar.
Megjithatë, kryetari i Këshillit Kombëtar, Besim Kelmendi nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka bërë të ditur se ata po e bëjnë më të mirën e tyre për ta luftuar këtë dukuri – luftë kjo për të cilën marrin ndihmë edhe nga UEFA, e jo vetëm nga autoritetet vendore.
“Ne në rastin e ndeshjes për të cilën është ngritur aktakuzë [Trepça – Fushë Kosova] kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me UEFA-n. UEFA na ka dërguar goxha disa informacione të rëndësishme për atë ndeshje”, ka thënë Kelmendi që sot i është kushtuar fenomenit të trukimeve.
“Me UEFA-n ne kemi një bashkëpunim tejet profesional si Këshill. Ne kemi komunikime sipas nevojës dhe nëse unë për shembull kërkoj nga UEFA për shembull a kanë informacion për ndonjë ndeshje të caktuar, ata thonë: “Po, e kemi siguruar këtë e këtë informacion”. Por, ne nuk i bëjmë ato publike, janë ekskluzivisht për Gjykatën”.