Kosova publikon listën, shumë ndryshime për ndeshjet e tetorit

14:50 | 06 October 2023

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Primozh Gliha, ka publikuar listën për ndeshjet e muajit tetor, që janë të rëndësishme për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.

Në listën e Glihas me 25 futbollistë ka pasur shumë ndryshime.

Amir Rrahmani mungon shkaku i lëndimit. Mungon edhe Arbër Zeneli, që në ndeshjet e shtatorit nuk u aktivizua fare.

Ndërkohë, janë ftuar futbollistët e Ballkanit, kampionit të Kosovës, Lumbardh Dellova dhe Qëndrim Zyba, si dhe ai i Llapit, Ilir Krasniqi.

Janë rikthyer Elbasan Rashani i Clermontit, Lirim Kastrati i Ujpestit si dhe Shkëlqim Vladi i Luganos. Vladi në formë shënoi gol për Luganon në fitoren ndaj Beshiktashit të enjten mbrëma në Ligën e Konferencës.

Në portë, Gliha ka ftuar Arijanet Muriqin, Visar Bekajn dhe Samir Ujkanin.

Në mbrojtje janë Leart Paqarada, Florent Hadërgjonaj, Kreshnik Hajrizi, Fidan Aliti, Ismajl Beka e Betim Fazliji.

Në mesfushë e në sulm janë ftuar Florian Loshaj, Florent Muslija, Meriton Korenica, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Bernard Berisha, Altin Zeqiri, Zymer Bytyqi, Vedat Muriqi e Albion Rrahmani.

Kosova do të luajë në udhëtim tek Andorra më 12 tetor, kurse e pret Izraelin më 15 tetor.

Kosova në Grupin I kualifikues për “Euro 2024” zë pozitën e pestë me katër pikë.

Këtë kampanjë e mbyll në nëntor me ndeshjen në udhëtim te Zvicra, dhe në shtëpi kundër Bjellorusisë.

Komento: