Kosova “vlon” nga paratë false/  Për dhjetë muaj u ekzaminuan mbi 47.000 monedha e kartëmonedha të falsifikuara

16:01 | 30 Dhjetor 2023
kosova-“vlon”-nga-parate-false/ -per-dhjete-muaj-u-ekzaminuan-mbi-47.000-monedha-e-kartemonedha-te-falsifikuara

Këtë vit është shënuar rritje e numrit të parave false.

Kështu thonë nga Agjencia e Forenzikës, derisa bëjnë një krahasim për periudhën Janar – Tetor 2023  krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Nga janari e deri në tetor të vitit 2023 në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 43.571 monedha të falsifikuara dhe 3.876  kartëmonedha të falsifikuara.

Por, jo të gjitha dolën të jenë të falsifikuara.

Në Agjencinë e Forenzikës për Front Online kanë treguar se sa prej tyre kanë dalë të jenë false.

“Për periudhën Janar – Tetor 2023  janë ekzaminuar 3.876 dëshmi të kartëmonedhave dhe të falsifikuara kanë rezultuar gjithsej 2118, ndërsa monedha të ekzaminuara janë 43.571 dhe të falsifikuara kanë rezultuar 38.137”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Forenzikës për Front Online.

Më të falsifikuarat, sipas tyre, janë monedha prej 2 eurosh dhe kartëmonedha prej 50 eurosh.

“Për periudhën e lartcekur monedha më e falsifikuar është në vlere 2 euro me gjithsej 36269 dëshmi, ndërsa kartëmonedha më e falsifikuar është në vlere 50 euro me gjithsej 1218 dëshmi”, thuhet më tutje në përgjigje.

 

Mbi një mijë raste të parave false të raportuara në Polici për 11 muaj

Në raportin 24 orësh të Policisë, pothuajse çdo ditë raportohet për raste të falsifikimit të parasë.

E, vetëm për 11 muaj kjo shifër ka kaluar në mbi një mijë raste.

“Policia nga 1 janari e deri më 30 nëntor të këtij viti ka iniciuar 1084 raste ‘falsifikim i parasë’, thuhet në përgjigjen e Policisë për Front Online.

Në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se në cilat rajone po ka raste më të shpeshta të raportimit të parave false.

 

Guvernatori i BQK-së: Nuk kemi shifra sa para false qarkullojnë në Kosovë, as nuk mund t’i dimë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili për Front Online ka deklaruar se ky fenomen nuk është vetëm në këtë vit.

Sipas tij, kjo është përpjekje e vazhdueshme e grupeve kriminale të cilët mundohen të gjejnë zona në të cilat mund të operojnë.

Por, thotë se nuk kanë shifra se sa është numri i parave false që janë duke qarkulluar në Kosovë.

Madje, sipas tij një gjë e tillë as nuk mund të dihet.

“Në të vërtetë nuk ka shifër të tillë. Ne nuk e kemi, por edhe nuk mund të ketë sepse ajo qarkullon në mënyrë ilegale do të thotë nuk është e evidentuar. Pra, po e them edhe njëherë nuk ekziston një shifër e tillë dhe nuk as se si me kërkua por që nga niveli i raportimeve edhe kapjeve po duket që ka qenë e madhe”, është shprehur Ismaili për Front Online.

Ndërsa, deklaron se zgjidhja më e mirë që të evitohet ky problem është që të mos paguhet me para kesh.

“Zgjidhja më e mirë është sa ma pak të përdoret keshi dhe ky është mjet i ligjshëm i pagesës”, ka thënë ai.

Por, ajo që guvernatori Ismaili thotë se e ka befasuar në këtë çështje është lloj-llojshëmria e parave false.

“Policia dhe Agjencia e Forenzikës kanë të dhëna sa raste janë raportuar dhe llojesh. Por, ajo që më ka befasuar mua ka qenë lloj-llojshmëria dhe kjo tregon se bëhet fjalë për një grup mirë të organizuar. Shtrirja e këtij grupi dhe këtij fenomeni nuk është vetëm në Kosovë”, ka shtuar Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka treguar se edhe çfarë janë duke bërë në këtë drejtim që sado pak ky fenomen mos të jetë kaq i pranishëm në vend.

“Jemi duke bërë çmos brenda mandatit tonë që t’i shtyjmë institucionet tjera që ky fenomen të luftohet, por ne duhet me dit që kjo është luftë e përhershme dhe sot është monedha më e falsfikuara dy euroshi, nesër munden me qenë valuta të tjera kështu që aftësia jonë si shtet me mekanizmat e tjerë është mjaftë e nevojshme që të avancohet më tutje”, ka pohuar ai.

Kurse, ka treguar që të mërkurën kanë miratuar edhe një rregullore për këtë çështje.

“Ne kemi miratuar të mërkurën një rregullore e cila është pjesërisht në frymën e kësaj që po flas. Kjo rregullore e cila hyn në fuqi nga 1 shkurti parasheh edhe kufizimin për mënyrën e importimit kush mund të importojë, në çfarë cilësie mund të importojë para dhe në këtë mënyrë mendojmë se do të kontribuojmë në krijimin e një baze edhe të qarkullimit të sasisë së parave në qarkullim përfshirë edhe monedhat, por kjo assesi për ato që hyjnë në mënyrë ilegale”, ka shtuar guvernatori Ismaili për Front Online.

 

 

Ish-guvernatori Mehmeti për paratë e falsifikuara: Të shmangen pagesat me para kesh

Që nuk mund të ketë të dhëna të sakta se sa është numri i parave false që qarkullojnë në Kosovë e thotë edhe ish-guvernatori Fehmi Mehmeti.

“Të dhënat e fundit tregojnë se ka vazhduar rritja e kartëmonedhave dhe monedhave që janë të falsifikuara. Ndonëse, nuk mund të ketë të dhëna të sakta se para të falsifikuara janë në qarkullim në këtë rast qytetarët, tregtarët janë në kontakt të vazhdueshëm me këto para dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme e as eksperiencë për t’i identifikuar paratë e falsifikuara”, ka thënë Mehmeti për Front Online.

Mehmeti deklaron se në atë vend ku qarkullimi më i madh i parave është kesh, ekziston mundësia më e madhe që të ketë tentativa më të shpeshta për para të falsifikuara.

“Mund të themi që ka tentativa sidomos në Kosovë ku është një ekonomi që qarkullon vlera e lartë e keshit, që është një ndryshim nga vendet tjera ku paraja fizike ka ardhë në rënie si vlerë. Tentativat për para të falsifikuara mund të jenë të shpeshta por masat gjithashtu duhet të jenë shumë të shpejta që në raste konkrete është dashtë të veprohet.  Duhet të kihet kujdes nga paratë kesh, përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni që janë duke futur një kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. Sektori bankar në Kosovë përdor identifikimin me kamera dhe aparatet e numërimit të keshi”, ka shtuar ish-guvernatori Mehmeti.

Ai ka një thirrje për të gjithë qytetarët.

“Në këto raste thirrja ime për të gjithë qytetarët është që duhet të shmangin pagesën me kesh pasi që mundësitë për të rënë në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara janë shumë të mëdha. Çdo biznes por edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm”, është shprehur ndër të tjera Mehmeti.

 

Kaçaniku për paratë e falsifikuara: Është dashur të ketë reagim të menjëhershëm, të kontrollohet kufiri

Konsumatorët e bizneset pothuajse çdo ditë po përballen me probleme sa u përket parave false.

Që ky fenomen është bërë problem i madh në vend për Front Online e thotë edhe Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”.

“Natyrisht që është bërë një problem shumë i madh për arsye sepse ka vite e vite që po e durojmë këtë terror me para të falsifikuara qoftë në monedha metalike, qoftë në kartëmonedha. Me vonesën e reagimeve, me vonesën e ndërmarrjes së masave të duhura ne tash kemi probleme jo vetëm me 2 euro false, por edhe me 1 euro, 0.50 cent”, ka deklaruar ai për Front Online.

Që të mos ndodhin këto probleme me para false, Kaçaniku thotë se reagimi i parë është dashur të bëhet në pikat kufitare.

“Ajo që është dashtë të bëhet ka qenë dashtë që të reagohet menjëherë dhe reagimi i parë është dashtë të bëhet në kufi, sepse këto para natyrisht që nuk kanë hyrë në rrugë bankiere por kanë hyrë në rrugë ilegale.Pra këto më nuk guxojnë të na ndodhin, pra kufiri duhet të ketë kontroll më të fortë, pro edhe qytetarin konsumator qeveria përmes mekanizmave dhe institucioneve që i ka duhet ta informojë, ta vetëdijësojë, ta mësoj për të qenë partner i shtetit siç po shihet inspektimet janë të mangëta dhe të pamjaftueshme”, është shprehur Kaçaniku.

Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim./Front Online

 

 

 

Komento: