Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”.
Për dallim nga dita e djeshme kur në stërvitje ishin të pranishëm vetëm 11 futbollistë, kësaj radhe përzgjedhësi Alain Giresse pati në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, me ç’rast shpalosi pikëpamjet e tij dhe skemat e lojës për ndeshjen e parë kundër Izraelit, njoftoi Federata e Futbollit e Kosovës.
FFK gjithashtu shkroi se dëshira për ta nisur mbarë këtë cikël kualifikues vërtetë është tek secili prej futbollistëve dhe anëtarëve tjerë të ekipit kombëtar.
Në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar gjithashtu thuhet se: “ata nuk mund ta fshehin entuziazmin e tyre për të përfaqësuar me dinjitet kombin e tyre në fushën e gjelbër dhe për t’i bërë krenarë tifozët dardanë”.