Mbi tre miliardë euro kursime të qytetarëve në banka komerciale.
Më shumë se 3.3 miliardë euro llogaritet vlera e kursimeve apo depozitave të qytetarëve në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë.
Edhe pse përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vazhdimisht kanë pohuar se sistemi financiar është sigurt, i qëndrueshëm, te disa qytetarë shtrohet dilema se sa janë të sigurta kursimet në rast të likuidimit të ndonjërës nga bankat që veprojnë në Kosovë.
Një qytetare nga Prishtina, Agnesa Kastrati, e cila punon në sektorin privat, thotë se në njërën nga bankat komerciale ka të kursyer një shumë të vogël të parave, por që nuk ka informacione se në raste të caktuara, mund t’i rrezikohen mjetet dhe a ka mundësi kompensimi.
“Unë kursej herë pas herë në shuma të vogla. Nuk e di kush garanton për këtë”, thotë Kastrati.
Ndryshe, përgjegjës për sigurimin e kursimeve në Kosovë është Fondi i Sigurimeve të Depozitave në Kosovë.
Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë ka për qëllim për të siguruar depozitat e personave fizikë dhe juridikë në çdo institucion anëtar dhe të kompensojë depozitorët e siguruar deri në limitin e sigurimit brenda 30 ditëve në rast të falimentimit të një banke, sipas kritereve të përcaktuara në Ligjet për Sigurimin e Depozitave.
Aktualisht, depozituesit janë të siguruar për secilën bankë anëtare të këtij Fondi, deri në shumën maksimale të kompensimit prej pesë mijë eurosh.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se qytetarët që kanë arritur të kursejnë mjete në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, i kanë paratë e sigurta pasi siguria e institucioneve financiare është në nivel të duhur.
Eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pjesa më e madhe e depozitave nga institucionet financiare në Kosovë, ruhen në vendet e Bashkimit Evropian, pasi numri më i madh i bankave është në pronësi ndërkombëtare, dhe aq sa janë të rrezikuar depozituesit në vendet e Evropës, aq janë të rrezikuar qytetarët e Kosovës që kanë mjete të kursyera.
“Unë mendoj se mekanizmat, të cilët i ka krijuar Banka Qendrore e Kosovës, garantojnë depozituesit në Kosovë dhe nuk varet siguria e depozituesve nga Fondi i Garantimit të Depozitave. Mirëpo, siguria varet nga kontrollet e vazhdueshme që i bën Banka Qendrore te banka komerciale në Kosovë dhe aty përfshihet edhe sigurimi parave të gatshme, depozitat dhe garancitë tjera”, thotë Gashi.
Pavarësisht kësaj, Gashi thotë se limiti i kompensimit prej pesë mijë eurosh, në rast se banka nuk është në gjendje t’i përmbushë obligimet e saj financiare, është shumë i ulët.
“Unë mendoj se kjo vlerë është shumë e vogël, për vetë faktin se kjo i prek vetëm njerëzit me të ardhura të ulëta, për arsye se depozitat janë në nivele më të larta dhe mendoj se kjo shumë duhet të shtohej shumëfish më shumë se sa është tani”, thekson Gashi.
Në anën tjetër, zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thonë për Radion Evropa e Lirë, se bazuar në pasqyrat financiare të publikuara, rreth 80 për qind e depozitave të qytetarëve janë lëshuar nga bankat në formë të kredive, për çka edhe janë të licencuara ato. Kurse, pjesa tjetër, është investim në letrat me vlerë të Qeverisë, para të gatshme, etj thuhet në një përgjigje të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ndryshe, në bazë të Ligjit për sigurimin e depozitave në Kosovë, Fondi do t’ia rimbursojë çdo personi fizik dhe juridik, shumën e vlerës totale të kombinuar të depozitave të siguruara në të gjitha llogaritë e mbajtjes së depozitave në institucionin ku ka ndodhur ngjarja e sigurimit në Kosovë.