Të ardhurat në Kosovë janë shumë të vogëla.
31 tetori njihet ndryshe si Dita Botërore e Kursimeve.
Sivjet, kjo ditë qëllon në një periudhë të rëndë ekonomike, për shkak të ngritjes së çmimeve.
Shumë kosovarë kanë vështirësi për të kursyer para, pasi të ardhurat mujore nuk i kanë të mjaftueshme.
Profesori i ekonomisë, Donat Rexha, thotë se në Kosovë kursimet shërbejnë si rezervë për ditë të vështira, për shkak të pasigurisë në punë dhe investime.
Ky thotë se periudha e inflacionit do t’i zvogëlojë kursimet, por do t’i nxisë më shumë ato, në periudhë afatgjatë.
Qytetarët thonë se kursimet i mbajnë kryesisht në banka.
Sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës, aktualisht janë 3 miliardë e 198 milionë euro depozita të ekonomive familjare.
Për shkak të ndërgjegjësimit për kursimin e parave, çdo 31 tetor në gjithë botë shënohet Dita e Kursimeve, që origjinën e ka gati një shekull më parë nga Milano e Italisë.
Për dallim nga vitet e kaluara, Banka Qendrore e Kosovës të dielën nuk organizoi ndonjë aktivitet për këtë ditë.