Shumë kosovarë po e shfrytezojnë festën e Kurban Bajramit për të shkuar në pushim në bregdetin shqiptar.
Festa e Kurban Bajramit ka sjellë fluks në pikën e kalimit kufitar të Morinës që në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Si rrallë herë mijëra qytetarë të Kosovës, kanë zgjedhur këtë vit që festën e Kurban Bajramit, ta kalojnë në bregdetin shqiptar, por edhe për të pushuar në destinacionet e tyre të preferuara.
Duke u ndalur te shifrat, bëhet e ditur se që nga ora 05:00 e mëngjesit të kësaj të shtunë kanë hyrë 2463 mjete me 12486 shtetas.
Përballë këtij fluksi policia kufitare e Morinës ka ngritur traun e doganës duke operuar me procedurë të përshpejtuar. Ndërkohë fluks të lartë pati edhe në hyrje për në Kosovë. Ndryshe nga Morina, që operon me procedurë të përshpejtuar, dogana e Kosovës, po punon me procedurë standarde të verifikimit të dokumenteve, duke sjellë në jo pak raste vonesa dhe radhë të gjata, sidomos gjatë mbrëmjes, kohë e kthimit të kosovarëve nga bregdeti shqiptar.