Kosovarët shpenzuan 183 milionë euro për blerje të veturave

09:20 | 09 February 2019

Rreth 58 milionë euro qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar për t’i zhdoganuar veturat.

Më shumë se 183 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për blerjen e veturave nga jashtë, vetëm gjatë vitit 2018.

Në përgjithësi, vitin e kaluar janë importuar 20 mijë e 689 vetura. Prej tyre, 17 mijë e 340 janë vetura të përdorura, ndërsa 3 mijë e 349 vetura të reja.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga totali i 183 milionë eurove, më shumë se 129 milionë janë shpenzuar për vetura të përdorura, ndërsa afër 54 milionë euro për vetura të reja.

Pos për blerjen e veturave, qytetarët një shumë të konsiderueshme parash e shpenzojnë më pas edhe për zhdoganim.

Bazuar në të dhënat zyrtare, nga procesi i zhdoganimit të këtyre makinave, Dogana e Kosovës ka arkëtuar afër 58 milionë euro (57 milionë e 953 mijë euro). Prej tyre, rreth 22 milionë euro janë inkasuar vetëm nga taksa doganore dhe akciza, ndërsa 36 milionë euro tjera janë grumbulluar nga TVSh-ja.

Komento: