Kosovarët as gjatë vitit 2019 nuk do të lëvizin lirshëm. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha gjatë një interviste ka folur edhe për dështimin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
E pyetur se a ka qenë viti që sapo e lamë pas vit i suksesit të Ministrisë që e drejtoni apo viti i dështimit për shkak se nuk u arrit që të liberalizohen vizat për Kosovën, Hoxha ka thënë kapitulli i liberalizimit të vizave duhet të jetë çështje që skuq BE-në dhe drejtuesit e sektorëve nga Brukseli
“Ne kemi shumë suksese në proces. Sivjet u përmbyllën të gjitha 95 kushtet për liberalizim. Ne jemi duke zbatuar agjendën e reformave Evropiane, MSA-në dhe reformat tjera që përafrojnë vendin tonë me BE-në. Kapitulli i liberalizimit të vizave duhet të jetë çështje që skuq BE-në dhe drejtuesit e sektorëve nga Brukseli”, ka thënë Hoxha për lajmi. net.
Sipas saj është e pakuptueshme që pas gjithë asaj pune, siç thotë ajo, kapitale me shumë se 6 vjet, të ketë ngecje në vendimmarrje në hapin e fundit.
“Nuk dua të shpreh vetëm shqetësim por edhe zhgënjim ndaj injorimit të kërkesës së qytetarëve tanë dhe institucioneve që me përpikëri i janë përmbajtur plotësimit të rekomandimeve, pas gjithë asaj pune kapitale, më shumë se 6 vjet, tash të ketë ngecje ne vendimmarrje mu në hapin e fundit. E paarsyeshme, plotësisht e pakuptueshme”, ka thënë tutje ministrja Hoxha.