SHBA-ja ka kërkuar ekstradimin e kosovarit që dyshohet për prostitucion dhe drogë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka pranuar një kërkesë nga Interpol, përmes së cilës është kërkuar ekstradimi i të dyshuarit R.B., nga Gjakova, nga autoritetet shtetërore të SHBA-ve.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, caktimit të ndalimit kundër të pandehurit, për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “mundësimi ose detyrimi në prostitucion” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Në kërkesën për ekstradim ceket se në vitin 1998 R.B., ka hyrë në SHBA dhe ka qëndruar në mënyrë ilegale, dhe nga janari i vitit 1998 e deri në shtator të vitit 2001, dyshohet se i njëjti e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve, në Fairbanks në Alaska”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim, prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh.