Sukseset e shqiptarëve nëpër botë vazhdojnë edhe në sporte tjera, jo vetëm në futboll.
Së fundmi një hap të madh në karrierën e tij të pasur e ka bërë edhe trajneri i hendbollit nga Gjilani, Fadil Kqiku i cili ka marrë drejtimin e Bayern Munich.
Gjilanasi që ka qenë një hendbollist i famshëm në Kosovë, do të drejtojë ekipin e parë të hendbollit të gjigantit gjerman Bayern Munich.
Kqiku ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera.
Në një prononcim për Telegrafin, Kqiku që ka qenë edhe trajner i Kombëtares së Kosovës, është shprehur shumë i lumtur me këtë kontratë të re.
“Kam nënshkruar kontratë me Bayernin 3+2 vite në ekipin e parë, konkurrencën e meshkujve në hendboll”.
“Deri më tani ka ecur shumë mirë dhe kontrata është tri vjeçare, por nëse kemi suksese atëherë vazhdohet automatikisht edhe për dy vite të tjera”, u shpreh Kqiku për Telegrafin.
Kqiku ka 20 vite që është trajner hendbolli në Gjermani, teksa ai ka qenë pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës A, por edhe në U-18.
Sa ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës U-18, në kampionatin evropian të zhvilluar në Austri, për herë të parë Dardanët morën dy fitore dhe atë e bënë nën udhëheqjen e Kqikut.
“Jam krenar me suksesin që kam arritur me Kosovën në Kampionatin Evropian dhe me djelmoshat që kisha në Kombëtare”, u shpreh Kqiku.
Kqiku synon që ta ngritë Bayernin në nivelet më të larta të hendbollit gjerman, pasi ai njihet për sukseset e mëdha në regjionin e Bayernit dhe Augsburgut me shumë klube ku ka punuar.
Trajneri gjilanas gjatë karrierës së tij si hendbollit ka luajtur në Kosovë për Bozhurin e Gjilanit, ndërsa në elitën e hendbollit gjerman për TSV Milbertshofen.
Kqiku ka thënë se është i lumtur që jeton dhe vepron me një vend si Gjermania ku vlerësohet puna dhe suksesi.
“Jam shumë i lumtur që jetoj në një vend si Gjermania ku puna e drejt dhe sukseset vlerësohen shumë”.
“Rezultatet e mira që kam arritur deri tani janë vlerësuar nga Bayern dhe për këtë kam nënshkruar këtu”, ka deklaruar Kqiku.