
Që nga 5 tetori Qeveria e Kosovës ka lansuar Fushatën Informuese për Liberalizimin e Vizave.
Kjo fushatë do t’i informojë qytetarët e Kosovës për detaje më të hollësishme mbi lëvizjen e lirë pa viza që do nisë nga 1 Janari i vitit 2024.
Por, një deklaratë e sotme e presidentit të Francës, Emanuel Macron i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, shkaktoi huti në Kosovë, shkruan Front Online.
Në disa media atje u raportua se Macron kishte deklaruar se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën.
Por, më vonë presidenca franceze reagoi duke thënë se deklarata e presidentit Macron u përkthye gabimisht.
Derisa, përsëri kanë thënë se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur.
“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.
Por, a mund t’i pezullohen vizat Kosovës?
Deputetja e VV-së: Kosovës s’mund t’i pezullohen vizat, ka procedura për të ndodhur kjo
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për Front Online se Kosovës nuk mund t’i pezullohen vizat vetëm pse e thotë një lider, në këtë rast presidenti Emanuel Macron.
Sipas saj, për të ndodhur kjo, duhet të kalohen disa procedura.
“Nuk mundem mu pezullu vizat vetëm pse e thotë një lider sepse ka procedura të pezullimit, Ato duhen me kalu në disa votime që të vijë deri të konfirmimi sepse është marrë vendimi me u pezullu. Por, në anën tjetër ne vazhdimisht kemi pas përgjigje në pyetjet se a ka mundësi me u bë suspendimi. Ato, tashmë janë lejuar dhe nuk ka mundësi me u pezullu. Nga 1 janari qytetarët tonë do të lëvizin lirshëm pasi vendimi nga Bashkimi Evropian është marrë para disa muajve”, ka deklaruar ajo për Front Online.
Sipas saj vendimi është marrë dhe ka kaluar në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
“Tash një president qoftë keqkuptim ose jo, jep një deklaratë të tillë nuk do të thotë që ai ka fuqi me pezullu një proces të tërë i cili kalon nëpër të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Është një vendim që merret unanimisht ose në koordinim me shtetet e tjera, nuk mundet vetëm Franca ose presidenti i Francës me marr një vendim të tillë”, ka shtuar Kryeziu-Hyseni.
E, pyetur se a po përdor si “kërcënim” liberalizimin Macron në mënyrë që Kosova t’i rikthehet dialogut, deputetja ka deklaruar se nëse kjo ndodhë, atëherë ky është edhe një dështim tjetër i vet Bashkimit Evropian.
“Nëse Franca vendos me përdor çështjen e vizave si formë të presionit për Kosovën që me iu rikthy dialogut, unë mendoj që është një tjetër dështim i vet Bashkimit Evropian në raport me Kosovën në këtë proces pasi ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm me qenë në dialog, jemi prapë të gatshëm me vazhdua me dialog, pro në situatën ë të cilën është vendi jonë nuk ka hapësirë me iu rikthy dialogut pasi tash janë dy çështje shumë me rëndësi me u diskutu, vendosja e sanksioneve për Serbinë dhe ofrimi i sigurisë për Kosovën. Pa i trajtu këto të dyja, mendoj se nuk ka hapësirë të mjaftueshme me iu rikthy dialogut”, është shprehur deputetja Kryeziu-Hyseni.
Musliu-Shoshi: Pezullimi i vizave mund të ndodhë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare
Deputetja e PDK-së, njëherit anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka deklaruar për Front Online se pezullimi vizave për Kosovën mund të ndodhë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare për këtë.
“Pezullim mund të ketë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare apo deklarohen zyrtarisht. Uroj të mos ndodhë”, ka pohuar Musliu-Shoshi.
Ajo, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë mirë e koordinuar me ndërkombëtarët që një e drejtë siç është liberalizimi i vizave të mos ndodhë që të pezullohen.
“Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës është e drejtë e merituar dhe kontribut i të gjitha qeverive të mëparshme. Kjo e drejtë e qytetarëve të Kosovës është votuar në institucionin evropian përgjegjës, me ç’rast kemi marrë edhe përkrahje. Uroj që qeveria të jetë e mirë koordinuar me faktorin ndërkombëtar që një pezullim mos të ndodhë”, është shprehur deputetja Musliu-Shoshi.
Që Kosovës nuk mund t’i pezullohen vizat e ka thënë edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka zero mundësi që Franca në mënyrë unilaterale dhe krye në vete ta pezullojë liberalizimin e vizave.
Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.
Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.
Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së.
Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.
Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit./Front Online