Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Në reagimin e tyre është kërkuar që politikanë të jenë të kujdesshëm ndaj deklaratave dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve.
Gjithashtu në reagim është thënë se tendecat e përfaqësuesve të Qeverisë ndaj Prokurorisë do të jenë të dështuara.
“Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Reagim i KPK-së dhe i ZKPSH-së ndaj deklaratave të Ministrit Murati për Prokurorinë Speciale
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagojnë ndaj deklaratës së Ministrit të Financave dhe Transfereve, z.Hekuran Murati, të bërë dje për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Më këtë rast, KPK dhe ZKPSH kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte.
Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara.
KPK dhe ZKPSH mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë.