KPK dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit i përgjigjen sulmeve të Hekuran Muratit

09:38 | 25 November 2024
kpk-dhe-zyra-e-prokurorit-te-shtetit-i-pergjigjen-sulmeve-te-hekuran-muratit

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, që tha dje “Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës”.

Këto dy institucione kanë kërkuar nga bartësit e funksioneve qeveritare të jenë më të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos e pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

“Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte.”

Në reagim thuhet se “tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara”.

KPK dhe ZKPSH kanë shtuar se e mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë.

Komento: