KPK i reagon Kurtit: Deklaratat e tij mund ta rrezikojnë jetën e prokurorit

19:14 | 28 Dhjetor 2022

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për deklaratat e tij pas ricaktimit të masës ndaj të dyshuarit për vepra terroriste, Dejan Pantiq.

Pas lirimit nga paraburgimit të Pantiqit në arrest shtëpiak, Kurti ka pyetur se si mund të dërgohet në arrest shtëpiak i dyshuari për terrorizëm.

Ndaj kësaj deklarate, KPK është shprehur thellësisht i shqetësuar.

“KPK vlerëson që reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës. Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në reagim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se i mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj.

“… dhe u bënë thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni. Ndërsa, Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK ju bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”, thuhet në reagim.

Komento: