KQZ certifikon kandidatin për deputet të PDK që u dënua në vitin 2020!

15:58 | 23 Janar 2021

Gjatë mbledhjes së djeshme (22.01.2021), KQZ, ka certifikuar partitë politike të cilat do të jenë pjesë e garës zgjedhore të muajit shkurt.

Fillimisht Zyra Ligjore për Certifikimin e Partieve Politike kishte rekomanduar që të gjitha partitë të certifikohen së bashku, në një pako me kandidatët e tyre, kryetarja e KQZ-ës, Valdete Daka, së bashku me përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së, kishin insistuar që certifikimi të bëhet një nga një.

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën mbetën pa u certifikuar, për shkak se në listat e tyre figuronin kandidatë që kishin dënim penal të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e deputetit Ethem Arifi, të gjithë personat që kanë dënim të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet në Republikën e Kosovës.

Por, në listën e PDK-ës, figuron një kandidat, i cili ka një vendim penal, hiç më larg se vitin e kaluar.

Bëhet fjalë për Lulzim Abazin, këshilltar i PDK-së në Asamblenë Komunale në Ferizaj, i cili është shpallur fajtor nga Gjykata në Ferizaj, në dhjetor të vitit 2020, rast për të cilin kishte raportuar Insajderi.

Abazi i cili akuzohej për mosdeklarim të pasurisë është dënuar me 500 euro gjobë dhe gjashtë muaj burg me kusht.

Aktgjykimi dënues ndaj tij është shqiptuar pasi i akuzuari fillimisht e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohej, duke thënë se veprën e kishte kryer nga pakujdesia.

Lulzim Abazi është kandidat për deputet nga rradhët e PDK-së dhe në listë mbanë numrin 108.

Komento: