KQZ e Kosovës dhe e Shqipërisë punëtori për shkëmbim të përvojave

17:27 | 26 Shtator 2024
kqz-e-kosoves-dhe-e-shqiperise-punetori-per-shkembim-te-pervojave

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi së bashku me stafin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Repulikës së Shqipërisë vizituan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi përmes një komunikate, njofton se kjo vizitë i parapriu fillimit të punëtorisë së përbashkët ndërmjet të dy institucioneve në qendër të së cilës është forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve, shkëmbimi i përvojave në lidhje me informim dhe edukimin e votuesve, votimin jashtë vendit, përdorimin e teknologjisë informative në zgjedhje dhe raportimin digjital të financave të partive politike.

Në komunikatë thuhet se në fillim të kësaj punëtorie, kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, ka vu theksin në bashkëpunimin e mirë mes dy institucioneve, i cili në shumë raste është treguar edhe me ndihmën konkrete dhe mbështetjen logjistike. Me këtë rast, Radoniqi ka kujtuar edhe huazimin e kamerave për nevoja të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021 dhe gjatë procesit të votimit më 21 prill 2024.

Gjithashtu, Radoniqi ka njoftuar edhe lidhur me ecurinë e organizimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror, Celibashi ka theksuar se bashkëpunimi mes dy institucioneve është forcuar dhe ka dhënë rezultate të prekshme për të dy palët.

Celibashi po ashtu ka theksuar se dy KQZ-të kanë eksperienca sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në proceset zgjedhore, ndaj shkëmbimi i këtyre përvojave do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe marrjen e masave për mirëorganizimin e proceseve zgjedhore.

Tutje thuhet se Komisioneri Celibashi ka sjellë në vëmendje votimin nga jashtë të shtetasve të Kosovës, përvojë e cila do t’i shërbejë KQZ-së së Shqipërisë në përgatitjen e procesit të votimit nga jashtë të shtetasve shqiptarë në vitin 2025./RTK

Komento: