KQZ fillon numërimin e 530 vendvotimeve

17:15 | 17 Tetor 2019

Filloi rinumërimi i vendvotimeve.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka filluar rinumërimi i 530 vendvotimeve.

Gjatë ditës së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 530 vendvotime.

Para pak çastesh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka filluar rinumërimi i këtyre 530 vendvotimeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se këto 530 vendvotime janë nga komuna të ndryshme të Kosovës.

“Ka filluar rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të sotëm, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra, janë 530 vendvotime të cilat i përkasin komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës”, tregoi Elezi.

Ai po ashtu, ka treguar arsyet pse çuan në rinumërimin e këtyre 530 vendvotimeve.

Elezi po ashtu për lajmi.net, ka sqaruar në detaje se përse ka ardhur deri te vendimi i rinumërimit të 530 këtyre vendvotimeve.

“Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se janë 149 vendvotime tek të cilat nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike për shkak të gabimit teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike. Gjatë auditimit rezulton se 24 vendvotime kanë problem teknike të mospërputhjes së numrit të fletëvotimeve, mungesës të faqeve apo rezultatet janë të paqarta. Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se 81 vendvotime në këto vendvotime nuk ka vota tek subjekti politik por ka tek kandidati/kandidatët. Në 89 vendvotime, gjatë auditimit është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik. Në 187 vendvotime rezulton se kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, sqaroi Elezi.

Theksojmë se para këtij vendimi për rinumërimin e 530 vendvotimeve ishin rinumëruar edhe 314 vendvotime të tjera dhe që ka përfunduar gjatë ditës së djeshme.

Komento: