
Nëse nuk ka ankesa, KQZ-ja i shpall nesër rezultatet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas numërimit të të gjitha votave të gjashtë tetorit, ka deklaruar se nëse nuk do të ketë ankesa nëpër institucione rezultatet përfundimtare do të shpallen gjatë ditës së enjte.
Kështu ka deklaruar në një përgjigje për Express, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar të respektojë këtë afat ligjor”, deklaron Elezi.
KQZ-ja deklaron se nëse nuk do të ketë ankesa, rezultatet do të mundë të shpallen gjatë ditës së enjte.
“Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mundë të shpallë rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, deklaroi ai.