KQZ-ja po e pret planin operativ të Policisë për t’i organizuar zgjedhjet në Veri

20:02 | 05 December 2022

Burim Ahmetaj, kryeshef i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se janë në pritje të planit operativ të Policisë së Kosovës për sa i përket sigurisë së stafit të KQZ-së për zgjedhjet e datës 18 dhjetor në katër komunat veriore.

“Ne kemi pranuar raportet lidhur me aktivitetet. KQZ ka vlerësuar hapat ligjor që duhet të merren në këtë veprim. Pas caktimit të katër ushtruesve detyre të komisioneve komunale zgjedhore, me kohë KQZ ka dërguar ftesat dhe me datë 28 nëntor ka formuar katër komisionet komunale në katër komunave veriore. I kemi dërguar shkresën MPB-së, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit. Jeni në dijeni, që javën e kaluar kemi pranuar një shkresë nga ministria e Arsimit, ndërsa nga MPB dhe me Policinë e Kosovës nuk kemi pranuar ndonjë shkresë. Jemi në pritje të planit operativ të Policisë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se në takimin e sotëm me Policinë e Kosovës, është thënë që nesër bashkë me zyrtarët të shkojnë nëpër zyre.

Po ashtu anëtari i KQZ-së Sami Hamiti ka thënë se nuk po ofrohen kushtet që të mbahen zgjedhjet në komunat veriore.

“Ata nuk na kanë krijuar kushtet që të mbajmë zgjedhjet. Situata nuk është në favor të asaj që të mbajmë zgjedhjet”, deklaroi ai.

Komento: