KQZ: Këto masa duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve

23:45 | 09 Shkurt 2021

KQZ ka bërë të ditura masat të cilat duhet të zbatojnë qytetarët në ditën e zgjedhjeve.

KQZ ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID, ndërkaq thekson se duhet të mbahet distanca fizike në momentin që qytetarët janë në vendvotime.

Njoftimi i plotë:

KQZ njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.

• Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;

• Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;

• Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;

• Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;

• Pas identifikimit, rivendoseni maskën;

• Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimin dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimin në kutinë e votimit;

• Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni serish duart.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.

Për informata shtesë kontaktoni këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555.

Komento: