Partia GUXO duket se do të shkoj sërish në një kuvend zgjedhor të brendshëm për zgjedhjen e lidershipit të saj kur u duk fillimisht se u rehatua me dy Kryetarë në krye të saj.
Kuvendi i kësaj partie i datës 7 shtator 2022 në Pristhinë po del të jetë zhvilluar jashtë rregullave që përcaktohen në rregulloret e brendshme të KQZ-së për regjistrimin dhe çertifikimin e partive politike.
Në raportin e siguruar nga Gazeta 10, të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Çertifikim të KQZ-së, konstatohen një varg shkeljesh në Kuvendin zgjedhor të partisë Guxo.
Vërejtja më e madhe e raportit është tek votimi dhe zgjedhja e dy Kryetarëve të partisë Guxo. Madje sipas monitoruesve, kjo çështje u shtruar si shqetësim edhe nga disa pjesëmarrës por Donika Gërvalla arsyetoi se ka shembuj të tillë të partive me dy kryetarë edhe në Gjermani.
Në raport, thuhet se me datën 13 shtator 2022, përfaqësuesi i partisë politike GUXO ka dorëzuar në Zyrë materialet nga Kuvendi, dhe tek pjesa e njoftimit të ndryshimeve, në pjesën ku duhet të nënshkruhet Kryetari, është nënshkruar Faton Peci.
“Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike Guxo, votimi i dy Kryetarëve ishte më shumë veprim politik dhe se në arenën politike Guxo do të përfaqësohet nga dy Kryetarë, Donika Gërvalla Schwarz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht Guxo përfaqësohet vetëm nga Faton Peci” thuhet në raport.
Në rekomandimet e mëtejshme të Zyrës, thuhet se ndryshimet e statutit dhe përshtatshmëria ligjore nuk janë në përputhje me Rregullën 01/2013, pra konsiderohet si shkelje.
“Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjstrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo Rregullë në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar” thuhet në raport mbi punën e Kuvendit Zgjedhor të Partisë Politike GUXO, i datës 14 shtator 2022.
Përpos kësaj, thekson raporti, të gjitha dokumentet zyrtare të Zyrës, duke filluar nga ato për përmubshjen e obligimeve të rregullta deri ato zgjedhore, kërkohet në shkrimi i një Kryetari dhe Zyra ligjërisht njeh vetëm një Kryetar të një partie politike.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike të KQZ e njeh si të pavlefshëm procesin e zgjedhjes së dy Kryetarëve të partisë Guxo.
“Duke u nisur nga çfarë u tha më lartë, në përputhje me nenin 14, paragrafi 3 i Rregullës 01/2013 i cili thekson se ndryshimi i Stautit të partisë politike që nuk është në përputhje me këtë Rregull, është i pavlefshëm. Zyra konstaton se ndryshimet e Statutit të partisë politike Guxo që kanë dalur nga Kuvendi i parë themelues i datës 7 shtator 2022, janë të pavlefshme dhe rrjedhimisht votimi i dy Kryetarëve konsiderohet i pafvlefshëm” thuhet në raport.
Në fund, Zyra rekomandon që Statuti legjitim i partisë politike Guxo të konsidrohet ai me të cilin është regjistruar partia politike.
Zyra për Regjistirmin e Partive Politike të KQZ-së i rekomandon partisë politike Guxo që brenda 45 ditësh të sigurojë zgjedhjen e një Kryetari të vetëm të partisë politike në përputhje me Statutin e partisë politike.