KQZ: Numërohen 49 nga 57 vendvotime me kusht, pritet përmbyllja e procesit sot

19:26 | 06 Janar 2026
KQZ: Numërohen 49 nga 57 vendvotime me kusht, pritet përmbyllja e procesit sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas KQZ-së, deri të martën, më 6 janar 2026, në orën 16:00, janë numëruar fletëvotimet në 49 nga gjithsej 57 vendvotime ku ishte mundësuar votimi me kusht, ndërsa procesi përfshin edhe numërimin e votave të personave me nevoja të veçanta.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në sistem janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për këtë formë votimi, ndërsa 2,860 votues ishin të regjistruar në programin e votimit për persona me nevoja të veçanta. Ndërkohë, në platformën online të KQZ-së kanë nisur të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, në përputhje me dinamikën e numërimit të fletëvotimeve

Komento: