KQZ nxjerr ndryshimet nga rinumërimi, Abdixhikut i ulen votat

13:19 | 16 Janar 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon publikimin e rezultateve të rinumërimit të votave nga qendrat e votimit për të cilat është marrë vendim për rinumërim.

Në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së është hapur edhe një rubrikë e veçantë, ku janë pasqyruar ndryshimet e votave që kanë rezultuar nga procesi i rinumërimit, duke u mundësuar qytetarëve t’i shohin drejtpërdrejt këto ndryshime.

Nga të dhënat e publikuara, personi që ka pësuar rënien më të madhe të votave është kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilit i janë zbritur 21 vota.

Po ashtu, rënie të votave kanë pësuar edhe kandidatët e tjerë nga radhët e LDK-së: Hykmete Bajrami me 9 vota më pak, Zeni Krasniqi me 17, Serbeze Mucaj me 12, Xhafer Gashi me 19, Sadri Berisha me 10, Rrezarta Krasniqi me 11 dhe Alban Zogaj me 8 vota më pak.

Ndërkohë, disa kandidatë të tjerë nga kjo parti kanë përfituar vota shtesë nga rinumërimi. Ukë Rugova ka fituar 5 vota më shumë, Xhavit Uka 5 vota, Esra Myrtezani 6, Ermal Sadiku 6, Paris Guri 9, Adelina Thaçi-Meta 3 dhe Fetah Rudi 5 vota më shumë.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit dhe publikimit të rezultateve po vazhdon edhe për qendrat e tjera të votimit.

Komento: