KQZ përfundon mbledhjen, s’bën rekomandime, thotë se vetëm i organizon zgjedhjet

20:04 | 09 Dhjetor 2022

Përfundon mbledhja: KQZ-ja s’bën rekomandime, thotë se vetëm i organizon zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ-ja ka ardhur në përfundim se ky komision nuk rekomandon nëse duhet të shtyhen zgjedhjet apo jo për një datë tjetër, njofton Klan Kosova.

Kryetari Kreshnik Radoniqi ka thënë se KQZ-ja vetëm i organizon ato dhe nuk bën rekomandime.

Sipas tij, janë instancat e tjera që vlerësojnë nëse është e përshtatshme që të mbahen zgjedhjet më 18 dhjetor apo jo.

Në këtë takim është diskutuar edhe siguria e zyrtarëve të KQZ-së në veri të vendit dhe së shpejti pritet që t’i dërgohet shkresë presidentes Vjosa Osmani, ku do t’i kumtohet ky qëndrim i komisionit.

Është paralajmëruar që zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës të mbahen më 18 dhjetor të këtij viti, mirëpo për shkak të tensionimit të situatës atje, tani po shqyrtohet që këto zgjedhje të mbahen në një kohë më të përshtatshme.

Lista Serbe e cila është dorëhequr nga institucionet për shkak të iniciativës së Qeverisë së Kosovës që të shqiptohen gjoba për vozitësit me targa ilegale, ka bërë thirrje që të bojkotohen këto zgjedhje.

Mbrëmë persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi një veturë të Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic është plagosur.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që këto zgjedhje të shtyhen për një kohë më të përshtatshme.

Komento: