KQZ: Përfundon regjistrimi i diasporës, aprovohen mbi 70 mijë aplikime

11:26 | 07 Dhjetor 2025
KQZ: Përfundon regjistrimi i diasporës, aprovohen mbi 70 mijë aplikime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Klankosova.tv, se procesi i regjistrimit ka zgjatur 11 ditë, nga data 26 nëntor deri më 6 dhjetor, gjatë të cilit aplikimet janë pranuar përmes platformës elektronike të KQZ-së.

“Sipas të dhënave preliminare, gjatë kësaj periudhe janë pranuar mbi 84 mijë e 700 aplikime për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës. Prej tyre, rreth 71 mijë e 900 aplikime janë aprovuar, ndërsa rreth 6 mijë e 700 janë refuzuar. Në proces të vlerësimit mbeten edhe rreth 5 mijë e 900 aplikime”, tha ai.

Elezi njoftoi po ashtu se nga totali i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës.

“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, thotë KQZ

Komento: