Rinumërimi i votave, KQZ po pret Supremen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur Gjykatën Supreme që të fillojë rinumërimin e votave, raporton Gazeta Express.
Kështu ka deklaruar për Express, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka thënë se janë duke pritur nga Supremja për të marrë vesh nëse ka ndonjë ankesë për vendimin e PZAP-it për rinumërim.
“Aktualisht jemi në pritje të konfirmimit nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë ankesë lidhur me vendimin e PZAP-it për rinumërim. Sapo të kemi konfirmimin do t’iu mbajmë të informuar lidhur me hapat e mëtejshëm të KQZ-së”, tha Elezi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.
Si dhe që ta pranojë si të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.