KQZ s’ka datë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

23:26 | 09 Janar 2026
KQZ s’ka datë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përmbylli numërimin e votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Fituese është VV me 51.11% dhe 57 ulëse, pasuar nga PDK me 22, LDK me 15 dhe AAK me 6 ulëse. Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) po kalojnë 48 orët, brenda të cilave pranohen ankesa mbi procesin zgjedhor.

Përfundoi edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, duke përmbyllur kështu procesin e përgjithshëm të numërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka përcaktuar datë për certifikimin e tyre, ndonëse teknikisht thonë se janë të gatshëm t’i shpallin rezultatet përfundimtare.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të datës 28 dhjetor. Në rast se në PZAP ka ndonjë ankesë nga ndonjë palë, atëherë KQZ duhet të presë vendimmarrjen e këtij institucioni para se të bëjë shpalljen e rezultatit përfundimtar,” tha Valmir Elezi – zëdhënës i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve,shkruan RTK.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa po kalojnë 48 orët, brenda të cilave do të mund të pranohen ankesa mbi procesin zgjedhor.

Deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një vendim formal, nuk mund të thirret seanca konstitutive dhe as të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të organeve të tjera parlamentare.

Nga rezultatet e përditësuara pas numërimit të votave të fundit në Qendrën e Numërimit dhe të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.11%. Pas saj radhitet Partia Demokratike me 20.19%, e treta Lidhja Demokratike me 13.23% dhe e katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50%. Në bazë të këtij rezultati, VV merr 57 ulëse, PDK 22, LDK 15 dhe AAK merr 6 ulëse.

Komento: