Krahasim interesant nga Albin Kurti për Kosovën e vitit 1989 atë të vitit 2019-të

11:24 | 23 Mars 2019

Albin Kurti bën krahasimin e Kosovës së vitit 1989 me Kosovën e vitit 2019.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar për 23 marsin e vitit 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, bën krahasimin me vitin 1989 dhe me situatën aktuale në Serbi dhe Kosovë.

“30 vjet më vonë, Serbia nuk na e njeh pavarësinë. Sepse, presidenti atje është nga po ajo rrymë politike serbe së cilës edhe autonomia për Kosovën i dukej e tepërt. Dhe, sepse presidenti këtu te ne është nga ajo rrymë politike shqiptare që jep territor shteti për pushtet për veti”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

“1989: asgjë nuk humbet Kosova me ndryshimet kushtetuese, bile, veçse përfiton. 2019: asgjë nuk humbet Kosova me korrigjimin e kufijve, madje, vetëm përfiton.

Sot janë mbushur tri dekada nga suprimimi i autonomisë së Kosovës. 23 marsi 1989 ishte shtetrrethim: gjendje e jashtëzakonshme, orë policore, mbi njëqind tankse e 15 mijë forca të armatosura jugosllave. Për pasojë, në pranverën e atij viti, dhjetëra shqiptarë u vranë në demonstrata e qindra të tjerë u arrestuan. Që nga ajo kohë edhe medie ndërkombëtare filluan ta konsiderojnë Kosovën të pushtuar e të okupuar.

30 vjet më vonë, Serbia nuk na e njeh pavarësinë. Sepse, presidenti atje është nga po ajo rrymë politike serbe së cilës edhe autonomia për Kosovën i dukej e tepërt. Dhe, sepse presidenti këtu te ne është nga ajo rrymë politike shqiptare që jep territor shteti për pushtet për veti.

E, kur pushteti dhe qeveria janë më të rëndësishme se territori dhe shtetësia, atëherë edhe partia bëhet më e rëndësishme se popullsia. 1989: punësimi, me librezë partie. 2019: punësimi, me librezë partie dhe afri farefisnie”, ka shkruar Kurti.

Komento: