Krahasojnë punën e tyre me atë të mjekëve në pandemi, mësimdhënësit kërkojnë shtesa në paga

16:14 | 29 Dhjetor 2020

Mësimdhënësit kërkojnë shtesa në paga, krahasojnë punën e tyre me atë të mjekëve në pandemi.

Punëtorët shëndetësorë kanë një kërkesë të re për Qeverinëe Kosovës.

Këtë herë ata po kërkojnë stimulim me të holla, për shkak të numrit të lartë të infektimeve tek mësimdhënësit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharajt tha se Qeveria pati stimuluar mjekët më parë për punën gjatë pandemisë.

Kështu sipas tij në të njëjtën mënyrë do duhej të kompensoheshin edhe punëtorët e arsimit.

Në të kundërtën, Rrahmanaj paralajmëron veprime sindikale.

Numri i lartë i rasteve të shënuara me koronavirus tek punëtorët e arsimit, ka bërë që këta të fundit të kërkojnë shtesa nga Qeveria e Kosovës. Kjo për shkak të punës që kanë bërë ata përgjatë pandemisë. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje ia kanë prezantuar edhe ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

“Ne në takimet që i kemi pasur me ministrin Likaj, përveç çështjeve të tjera, shqetësimeve dhe kërkesave nga punëtorët e arsimit i kemi kërkuar mbështetjen e lidhur edhe lidhur me këtë çështje, duke argumentuar bashkë me të se me fillim të vitit shkollor e tutje, numri i të prekurve nga Covid-19 tek punëtorët e arsimit ka shënuar një ngritje të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Sipas Jasharajt kjo kërkesë e punëtorëve të arsimit vjen pas numrit të lartë të mësimdhënësve të infektuar me virusin Covid-19, qysh nga fillimi i pandemisë.

Ai theksoi se për këtë qëllim më herët janë stimuluar edhe mjekët. “

“Pasi që institucionet tashmë janë në këto kaos, ne kemi bërë një apel, një kërkesë publike përmes mediave dërguar Qeverisë “Hoti” dhe arsyeja është kjo. Opinionin e dinë që në kohën kur kemi punuar me mësimin online dhe mësimdhënësit nuk kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga Covid-19, ne nuk kemi heshtur dhe i kemi përkrahë çdo angazhim të Qeverisë për ti ndihmuar punëtorët në sektorin e shëndetësisë dhe policisë sepse ata në atë kohë ishin në frontin e parë të betejës kundër Covid-it”, ka thënë ai.

Nga SBAShK-u këtë kërkesë po e arsyetojnë me atë se që nga fillimi i vitit shkollor dhe akademik për vitin 2020/2021, ka pasur shumë raste të infektimeve me koronavirius tek mësimdhënësit, teksa Jasharaj thotë se kërkojnë mbështetje financiare nga Qeveria deri në fillimin e implementimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

“Që nga 14 shtatori edhe punëtorët e arsimit duke filluar nga çerdhet, arsimi fillor, i mesëm dhe universitet edhe këta janë përballur me virusin dhe pasi për të tjerët është ofruar një ndihmë e tillë materiale. Kemi kërkuar edhe për punëtorët e arsimit që të ketë një këtë mbështetje. Fillimisht me tetorin, nëntorin dhe dhjetorin për të filluar edhe për vitin e ardhshëm derisa Ligi për Paga të fillojë së implementuari”, ka deklaruar ai.

I pari i SBAShK0ut, pohoi se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga ministria e Qeveria, lidhur me këtë kërkesë të tyre.

“Jo nuk kemi marrë asgjë zyrtare. Kemi pasur edhe takime individuale si me deputet ashtu edhe me përfaqësues të institucioneve dhe e kemi parë që ata e kanë të ditur këtë kërkesë dhe jam i sigurt që para festës së Vitit të Ri ne do të takohemi me ministrin Likaj dhe nga ai do të kërkojmë që ta ngris zyrtarisht këtë çështje në Qeveri dhe jemi optimist që Qeveria duke parë që edhe sektori i arsimit është mjaft i prekur nga Covidi do të reflektojë dhe do ti ndihmojë të punësuarit në arsim, derisa të bëhet një zgjedhje tjetër”.

Nga kjo Sindikatë nuk i kanë përjashtuar as veprimet sindikale në rast se Qeveria nuk e përfill këtë kërkesë të tyre.

“Situata është tanimë e tillë ku institucionet po merren më shumë se çka do të ndodh tutje, janë duke u përgatitur edhe për fillimin e fushatës zgjedhore, por ne do të insistojmë vazhdimisht që të kemi takime si me ministrin Likaj por edhe me përfaqësuesit e institucioneve dhe me deputet në mënyrë që të ngritet kjo çështje dhe afër fillimit të gjysmëvjetorit të dytë ne do të kemi varësisht nga rrethanat, qoftë takim online, qoftë takim fizik me Këshillin Drejtues. Bazuar në situatën dhe në përvojën kam frikë që nëse kjo nuk do të realizohet atëherë do të kemi kërkesa që të shkohet edhe me veprime sindikale që ne nuk i dëshirojmë e aq më pak në këto rrethana dhe në këto kohë të vështira”, ka deklaruar ai për Express.

Aktualisht nxënësit dhe mësimdhënësit janë në pushim vjetor dimëror, në kohëzgjatje prej një muaji.

Sipas deklaratave të Jasharajt, në rast se Qeveria nuk e përfill kërkesën e tyre për pagesa shtesë, atëherë gjysmëvjetori i dytë nuk do të fillojë më 18 janar ashtu siç është paraparë me vendim të Qeverisë.

Në ndërkohë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në një konferencë për media pati bërë të ditur, se që nga fillimi i procesit mësimor në shkolla, me koronavirus janë infektuar 1.615 mësimdhënës dhe 1.173 nxënës.

“Gjatë procesit mësimor, nga 15 shtatori e deri më sot janë testuar 10,823 mësimdhënës (prej tyre 1,615 kanë rezultuar pozitiv 14.9%) dhe 6,792 nxënës (prej tyre 1173 kanë rezultuar pozitiv 17.3%) mesatarja 15,8%”, ka thënë ai, në një konferencë për media, më 18 dhjetor.

Komento: