Krasniqi: Draftin e parë franko-gjerman nuk do ta nënshkruante asnjë parti shqiptare

23:54 | 07 Dhjetor 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar propozimin franko-gjerman, duke thënë se drafti i parë i këtij propozimi është larg objektivave të Kosovës, dhe si të tillë, nuk mund ta nënshkruante asnjë parti shqiptare.

Sipas Krasniqit, drafti që u soll nga Shefi i Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell të martën, mund të konsiderohet si draft i ri, dhe se nuk duhet refuzuar.

“Unë e konsideroj këtë një draft të ri. Atë që e kam thënë për draftin e parë i qëndroj mbrapa. Ashtu siç ka qenë drafti i parë nuk besoj që mund ta nënshkruaj kushdo prej partive shqiptare në Kosovës sepse është larg nga objektivat qendrore dhe aspiratat tona. Por kjo nuk do të thotë se duhet të refuzohet si i tillë sepse besoj që ekziston mundësia për të u angazhuar në këtë proces dhe për të kërkuar dhe rritur realizimin e aspiratave tona shtetërore, të cilat i kam thënë në Kuvendin e Kosovës.”, ka deklaruar Krasniqi në Kanal 10.

Tutje, lideri opozitar tha se janë pesë kërkesa kryesore që Kosova duhet t’i paraqesë si pjesë të këtij propozimi.

“Sipas meje dhe PDK-së janë pesë. E para të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës brenda integriteti territorial dhe sovranitetit kushtetues që e kemi. E dyta të garantohet njohja e Kosovës nga 5 vendet mos njohëse të BE-së. E treta Kosova të hap procesin e anëtarësimit në NATO. E katërta që të merret statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. E pesta njohja e ndërsjellët që duhet të jetë objektivi themelor”, deklaroi ai.

Ndërkaq, njohja reciproke me Serbinë, Krasniqi tha se duhet të jetë objektiva kryesore e marrëveshjes.

Komento: