Krasniqi, Haradinajt: Më mirë të shkohet në zgjedhje, sesa të hiqet taksa

11:28 | 20 Janar 2019

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinajt është më mirë të shkojë në zgjedhje sesa ta heq taksën.

Krasniqi e ka këshilluar Ramush Haradinaj të shkojë vendi në zgjedhje e të mos hiqet taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake pavarësisht kërkesave të Presidentit Hashim Thaçi, SHBA-së dhe BE.

“Në një situatë të tillë, për Kryeministrin e Kosovës, çdo variant i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, se sa heqja eventuale e taksës ndaj Serbisë. Kursi i ri duhet vazhduar!”, ka thënë Krasniqi, transmeton Gazetës Express.

Krasniqi ka thënë se gjithë ata që po kërkojnë heqjen e taksës – liderët e Kosovës – po e bëjnë këtë për interesa personale.

“…ata janë duke i mbrojtur interesat kryekreje personale e aspak shtetërore e kombëtare”, ka shtuar ai.

Krasniqi e ka krahasuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me ish-funksionarët shqiptarë në Jugosllavi. Ka thënë se ish-kreu i PDK-së po bën presin Qeverisë për interes personal që të hiqet taksa.

“Ai apo ata që taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, sidomos ndaj Serbisë e konsiderojnë si një veprim a teke personale të një lideri shtetëror e cilat “teke nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së”?! Diçka të tillë sikur të thoshin nostalgjikët e Beogradit, që nuk mungojnë në Kosovë, të cilët tani janë të heshtur, por që nxjerrin kokën kohë pas kohe, mbase edhe do të kuptoheshin disi”, ka shtuar ai.

Ish-Kryetari i Kuvendit ka thënë se Hashim Thaçi dhe zyrtarët e LDK-së janë mësuar të nënshtrohen derisa serbët të trimërohen.

“Kjo do të thotë që sa më shumë që të nënshtrohen të parët tanë si Thaçi e zyrtarë të LDK-së, aq më shumë do të trimërohen ata që nuk u distancuan as edhe një herë nga politika e gjenocidit serb”, ka shtuar Krasniqi.

Qeveria Kosovës kishte marrë vendim për taksë ndaj produkteve serbe e boshnjake pasi Serbia kishte nisur një fushatë kundër njohjeve të Kosovës.
Fillimisht ishte vendosur taksa 10 për qind për t’u vendosur në fund të vitit të kaluar në 100 për qind.

SHBA ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar dje të dëgjohet këshilla e amerikanëve. Ka thënë se SHBA nuk e ka të pakushtëzuar përkrahjen për Kosovën. Madje, ka thënë se për teke të ndonjë lideri s’bën të rrezikohet partnertiti i Kosovës me SHBA-në.

Në anën tjetër, nënkryetari tjetër i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se vendimi për mos heqjen e taksës me Serbinë nuk cenon raportet e Kosovës me Amerikën.

Në këtë mënyrë, Lekaj i është përgjigjur Presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi nga Qeveria që të dëgjohet këshilla e SHBA-së për heqjen e takës.

Komento: