Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se sot kanë mbajtur Konventën e hapjes së zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar të gjithë ata të rinj, që e kanë moshën e angazhimit politik, të bëhen pjesë e zgjedhjeve të RDK-së, sipas tij, për të hapur kapitullin e ri që i duhet sot më shumë se kurrë Kosovës.
“Sot, në 23 vjetorin e themelimit të PDK-së, për të lidhur trashëgiminë tonë politike edhe me të ardhmen, kemi mbajtur edhe Konventën e hapjes së zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës. Trashëgimia jonë e pasur, edhe 23 vite më parë kishte nisur nga disa të rinj e të reja, të cilët kishin vizion, qëllim, vullnet e guxim për t’u prirë proceseve më të rëndësishme të shtet ndërtimit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka një tjetër rrugë të rëndësishme para vetes, të cilës mund t’i përgjigjet Rinia Demokratike e Kosovës, rrugën e zhvillimit e të emancipimit. Prandaj, dua t’i ftoj sonte të gjithë ata që e kanë moshën e angazhimit politik, që të na bashkohen në këtë rrugë, të afrohen me ne, të bëhen pjesë e zgjedhjeve të RDK-së, e që të gjithë së bashku, ta hapim kapitullin e ri që i duhet sot më shumë se kurrë, Kosovës tonë”, ka shtuar ai.